Suksesi i filmave në shqip që po vlerësohen nga ndërkombëtarët
Filmi “Zgjoi”, nga regjisorja Blerta Basholli, rrëmbeu tri çmime në ”Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari film me metrazh të gjatë në gjuhën shqipe arriti jo vetëm të konkurronte këtë fillimviti, por edhe të vlerësohej si filmi më i mirë, si produksioni me regjinë më të mirë, si dhe më i miri nga votat e audiencës në seksionin e Kinemasë Botërore.
”Zgjoi” është historia e vërtetë e Fahrie Hotit nga Gjakova që sot ka një ndërmarrje ku punojnë mbi 50 gra të cilat presin burrat e zhdukur nga lufta. Filmi është bashkëproduksion i Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë e Maqedonisë. Protagonistët që i dhanë jetë këtij filmi janë shqiptarët e Kosovës.
Ky nuk është filmi i vetëm që shkëlqeu në festivalet ndërkombëtare. ”Në kërkim të Venerës”, një produksion i Norika Sefës u shpall në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam si më i miri mes kandidatëve.
I fundit lajm që vjen nga bota shqiptare e kinematografisë, është lista e shkurtër e kandidatëve në ”Oscar”. Pas suksesit në Festivalin e Filmit në Kanë “Furgoni”, nga Erenik Beqirit është në listën e shkurtër të ”Oscars” për produksionet me metrazh të shkurtër. Regjisori shqiptar ka ndarë bashkëprodhimin e këtij filmi me Francën.