Zgjedhjet dhe infrastruktura zgjedhore

Në zgjedhjet e 30 qershorit, 24 Njësitë Administrative të Bashkisë Tiranë do të kenë 922 Qendra Votimi

Nga Halil RAMA*

Pavarësisht problematikës mjaftë serioze që ka krijuar mospërmbushja e misionit nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore, institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore po punon intensivisht, duke ju përmbajtur pikë për pikë kërkesave të Kodit të vjetër Elektoral. Vetëm dy javë pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore më 30 qershor 2019, KQZ (me shkresën nr.1541 prot, datë 24.11.2018) ju ka dërguar zyrtarisht të gjitha bashkive një kujtesë për disa nga detyrimet ligjore në funksion të ngritjes së infrastrukturës zgjedhore.
Në të njejtën linjë, edhe Ministria e Brendshme ka nxjerrë Udhëzimin (nr.295/1, datë 06.11.2018), për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve si dhe për mënyrën e ngritjes dhe caktimit të venndndodhjes së Qendrave të Votimit dhe përgatitjen e hartës së Njësisë së Qeverisjes Vendore për Zgjedhjet.
Këto procedura, në dukje disi burokratike, në thelbin e tyre, referuar kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë (Miratuar me ligjin nr.10019, datë 29.12.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015) janë të një rëndësie tejet të veçantë.
Parë nga ky këndvështrim përparësi merr transparenca për publikun në çdo etapë të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore.
Nëse Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme, mbështetur në kërkesat specifike të Kodit Zgjedhor, përcakton publikimin e ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin territorial të sejcilës bashki (respektivisht në datat 04.12.2018; 01.02.2019; 29.03.2019 dhe më 28.042019), problem mbeten një numër i konsiderueshëm zgjedhësish, ende pa adresë të saktë në regjistrat e Gjendjes Civile (ose ata që mbajnë kodet e famshëm: 000; 888 dhe 999).
Në bashkinë e Tiranës, ku si rrjedhojë e prurjeve të shumta nga rrethet, ky numër në fillim të dhjetorit ishte deri në 60 mijë, me një punë intensive të administratave të 24 Njësive Administrative zbriti në 22 mijë në fund të janarit. Shembulli më sinjifikativ i produktit në këtë drejtim janë Njësia Administrative Nr.11 që arriti në kohë rekord të identifikojë 6661 zgjedhës pa adresë si dhe Njësia Administrative Dajt, 1830 zgjedhës. Ndërkohë, referuar statistikave zyrtare të Bashkisë Tiranë, edhe Njësitë Administrative Nr. 1, 2, 3, 4, 6, 7, 8,10 dhe Zall Herr kanë tregues inkurajues, me synim zerimin e kësaj shifre deri në fund të muajit shkurt.

PROBLEMATIKA SERIOZE NË EVIDENTIMIN
E QYTETARËVE PA ADRESË

Ky proces evidentoi edhe disa problematika serioze që konsistojnë në mospërditësimin e hartave të rrugëve dhe mosevidentimin e pallateve të reja pas vitit 2005, apo dhe në moskorespondimin e adresave sipas ZVRPP dhe OSSHEE, Tiranë, me emërtimet e reja. Administratorët e Njësive Nr 1, 3, 4, 9 dhe 11 (Trëndelina Jaku, Ergesta Ninka, Liri Qoshi, Aida Prendi dhe Jonida Doku) në një takim të thirrur nga Prefektja e Qarkut Tiranë, Suzana Jahollari ngritën shqetësime serioze nisur nga fakti se Kodet (000, 888 dhe 999), në hartat që disponojnë zyrat përkatëse në këto njësi ishin vetëm për deklarimet për legalizim të banesave, të viteve 2005-2006 dhe jo ato të deklaruara tek ALUIZNI në vitet në vazhdim. Po ashtu, në hartat që dispononin Njësitë, banesat private nuk kishin numra adresash si dhe një pjesë e pallateve të reja.
Nisur nga mospërputhja e adresarit të Bashkisë Tiranë me adresën e kodeve që vendos Zyra e Gjendjes Civile me Sektorin e Shërbimeve Publike, Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile në këtë bashki, Z.Erindi Bejko insistoi në kërkesën për pajisjen me harta nga fotografimi ajror i banesave, me emërtim rruge dhe kod banese. Po ashtu, mbështetur në kërkesat e administratorëve të 11 Njësive Administrative (Tirana Qytet) si edhe të Njësive Kashar, Dajt e Farkë) u insistua që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të nxjerr një Udhëzues që të sqarojë se si do të veprohet për kategoritë e shtetasve që kanë shitur shtëpitë dhe jetojnë jashtë vendit, për rastet e grave të divorcuara por që nuk e kanë ndryshuar vendbanimin si dhe për rastet e personave që rezultojnë nga vizitat në terren të vdekur, por që deri më sot familjarët e tyre nuk i kanë çregjistruar në zyrën e Gjendjes Civile.
Këto problematika u trajtuan edhe në takimin që Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi me Prefektët, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, më 21 dhjetor 2019, ku në fokus ishin çështjet që lidhen me përgatitjet e MB-së dhe njësive vendore, për procesin e zgjedhjeve lokale të qershorit 2019. Ministri Lleshaj, që në krye të herës e konsideroi procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale, me rëndësi të dyfishtë: për mirëqeverisjen nga njëra anë dhe për të dhënë një dëshmi të fortë të pjekurisë, që duhet të tregojë vendi për të qenë gati për hapjen e negociatave me BE-në.
Ndër detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi Kryetarëve të Bashkive të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve, para periudhës elektorale duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet.
Në këtë takim, zëvendëskryetari i Bashkis Tiranë, Arbjan Mazniku ofroi zgjidhje efektive sipas përvojës pozitive të kësaj bashkie në zgjedhjet e vitit 2017.

EKSTRAKTI I PËRBËRËSVE ZGJEDHORË DHE
VENDNDODHJA E QENDRAVE TË VOTIMIT

Infrastruktura zgjedhore mund të duket si nocion abstrakt, por referuar kërkesave specifike të Kodit Zgjedhor dhe përvojës pozitive të bashkisë Tiranë në zgjedhjet parlamentare 2017, konturet e saj janë qartësisht të dukshme. Pikërisht për këtë arsye u ndalëm në raste specifike, që ndikojnë drejtpërdrejtë në skatësinë e ekstratktit të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin territorial të sejcilës bashki.
Lidhur ngushtë me këtë është edhe detyrimi ligjor i bashkive për njoftimin me shkrim të zgjedhësve të përfshirë në ekstraktin e printuar sipas qendrave të votimit nën juridiksionin e territorit të bashkisë /Njësisë Administrative përkatëse.
Për zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes Vendore të datës 30 qershor 2019, puna ka nisur me ngritjen e rrjetit të koordinatorëve zgjedhorë (juristë dhe urbanistë) përfaqësues të 24 Njësive Administrative të bashkisë së Tiranës.
Për të qartësuar detyrimet ligjore për përgatitjen e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrtaive dhe Emergjencave Civile, bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Komisionin Qëndor të Zgjedhjeve, organizuan më 14.12.2018 një seminar trajnues me 24 Administratorët e Njësive Administrative dhe tri lagjeve të Bashkisë Tiranë, (dhe me 10 janar 2019 edhe me koordinatorët zgjedhor) ku u trajtuan problematika referuar: Kodit Zgjedhor të RSH (Neni 27 – Zonat e Administrimit Zgjedhor; Neni 46-Lista e Zgjedhësve; Neni 51-Publikimi i ekstratit të përbërësve zgjedhorë; Neni 52-Njoftimi me shkrim i zgjedhësve; Neni 62-Caktimi i Zonave dhe vendndodhjes së qendrave të votimit); Udhëzimit të KQZ Nr.1. datë 12.12.2012 – Për mënyrën e ngritjes dhe caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së Njësive të Qeverisjes Vendore; Udhëzimit të Ministrisë së Brendëshme Nr.295/1 datë 06.11.2018 – Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve dhe Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Nr.44406, datë 27.11.2018 – Për delegimin e kompetencave të përgatitjes së listave të zgjedhësve dhe caktimit të zonave e vendndodhjes së qendrave të votimit.
Ky seminar ishte mjaftë efektiv, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm të instisitucionit të kryetarit të bashkisë Tiranë, Z.Erion Veliaj dhe kryetarit të KQZ, Z.Klement Zguri (me asistencën e eskpertëve të KQZ (Znj. Ana Tenolli, Drejtore e Komisioneve Zgjedhore, trajnimit dhe edukimit të zgjedhësve; Znj. Etleva Numani, shefe e Trajnimit dhe specilistit me përvojë për Hartat e Qendrave të Votimit, Z. Arjan Ymerali). Ai pati ndikim të dukshëm në ecurinë e procesit, sidomos në përcaktimin gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve të vendndodhjeve të mëse 900 qendrave të votimit që do të ketë Bashkia e Tiranës (pjesa më e madhe e tyre në objekte publike).
Është evidente në këtë proces të rëndësishëm, si dhe në gjetjen e përcaktimin e disa objekteve private për disa qendra votimi (për rastet kur sipas Nenit 5 të Udhëzimit të KQZ Nr.1, datë 12.12.2012, në territorin e zonës së qendrës së votimit, ose në një zonë qendre votimi fqinje, nuk ka mjedise publike të përshtatshme për QV), përvoja pozitive e Njësive Administrative Nr. 2, 4, 6, 7, 9 dhe 11 në bashkinë e Tiranës, pothuajse katër muaj para datës së mbajtjes së zgjedhjeve të radhës. Në këtë mënyrë është mundësuar identifikimi dhe përcaktimi sipas standardeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor i objekteve private që do t’i propozohen Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për disa qendra votimi në ato zona ku është e pamundur ngritja e tyre në objekte publike.

FUSHATË CIVILE, PA POSTERA DHE NDOTJE

Lidhur ngushtë me angazhimin për një infrastrukturë zgjedhore të standardeve ligjore, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka kërkuar edhe drejtuesve të njësive të tjera vendore që të respektojnë Kodin Zgjedhor, duke kufizuar përdorimin dhe afishimin e materialeve propagandistike zgjedhore që sjellin ndotje të ambienteve publike.
Kryebashkiaku i metropolit shqiptar inkurajon kështu një fushatë më civile, më modeste, më me këmbë në tokë, edhe pa kallangjosje që i ndodh tipikisht qyteteve, ku gjithë Shqipëria bëhet për një pastrim masiv pas fushate. Ndërkohë, Veliaj kërkoi fillimin e punës për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe evidentimin e ambienteve që mund të përdoren si qendra votimi.
Duke qenë se është një vit i rëndësishëm, është vërtetë inkurajues angazhimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore të standardeve ligjore.
Në bashkëpunim të ngushtë me KQZ dhe institucionin e Prefektit të Qarkut, rrjeti i koordinatorëve zgjedhorë të Bashkisë Tiranë po punon me përgjegjësi maksimale edhe në përmbushjen e detyrimeve ligjore lidhur me gjetjen e objekteve alternativë për ato Qendra Votimi që mendohen se do të jenë në objekte private, si dhe për plotësimin e standardeve në ato QV ku parashikohet të votojnë persona me aftësi të kufizuara.
Pa hyrë në detaje të Kodit Zgjedhor, për detyrimet e subjekteve pjesëmarrësve në zgjedhje, u ndala në aspekte të ngritjes së infrastrukturës zgjedhore, si detyrim ligjor i bashkive të vendit, ku bashkia e Tiranës përbën një shembull inkurajues edhe për bashkitë tjera.

*Avokat me nr liçense 7979, datë 31.10.2014.

SHKARKO APP