103-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Begaj: Punoni bashkë për sfidat me të cilat përballet Shqipëria
Sot shënohen 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar. Kjo ditë e shënuar u festua në Lushnjë me këngë e valle popullore shqiptare.
I pranishëm në muzeun “Kongresi i Lushnjës” ishte edhe presidenti Bajram Begaj. Edhe në këtë ditë, Begaj zgjodhi që t’i përçojë një mesazh politikës dhe i bëri thirrje që të punojnë bashkë për të adresuar sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë.
“E shkuara duhet të kujtohet. Duhet të kujtohet jo vetëm për të kujtuar figurat e rëndësishme e ngjarjet e rëndësishme, por edhe si një moment reflektimi për të nxjerrë mësime. Kongresi i Lushnjës na frymëzon, ata delegatë vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme. Për sfidën e kohës ata vendosën që është e rëndësishme Shqipëria para interesit të tyre. Edhe sot është një thirrje shumë e madhe për ne që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ti përballuar me sukses dhe për të frymëzuar popullin shqiptar siç frymëzoi Kongresi i Lushnjës”, tha Begaj.
KOHA JONË SONDAZH

