AK, Spahiu: Meritojmë një qeveri dhe opozitë tjetër
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar sot se “shqiptarët meritojnë një Qeveri tjetër, por edhe një opozitë tjetër, se kjo e dyta i tradhtoi protestat e tyre për hir të pagave në Kuvend.”
Në një takim të kreut të kësaj partie me 300 intelektualë për situatën e rëndë në vend, Spahiu tha në fjalën e tij se shqiptarët po regjistrojnë një indeks çmimesh nga më skandalozët, në ujë dhe energji. Një shqiptar duhet të punojë një muaj për të shlyer faturën e energjisë; të punojë dy javë për të shlyer faturën e ujit; fatura e karburanteve është dhjetë herë më e lartë në shtetin më të varfër të Evropës.”
Spahiu theksoi se “në të gjithë Amerikën, Azinë, Evropën është ulur çmimi i naftës. Gjermania, shteti më i fuqishëm në Evropë, e ka ulur 40% çmimin e karburanteve, Austria e ka ulur 35%, ndërkohë që çmimet dhe faturat mujore tek ne janë disa herë më të lartë. Kjo krizë tregon se korrupsioni ka marrë peng vendin.”
Piktori di të bëjë vetëm dekor, por Shqipëria nuk del nga kriza me bar apo me ngjyra, ka nevojë për reforma ekonomike. Afro 1 milionë shqiparë sot paguajnë faturat me paratë që ua dërgojnë familjarët nga emigracioni, ata shqiptarët që këta i regjistrojnë si turistë dhe nuk ua njohin as të drejtën e votës.
Shqiptarët meritojnë një qeveri tjetër, por edhe një opozitë tjetër, e cila tradhtoi protestat popullore për hatër të pagës që po u digjej në Kuvend. Ashtu siç u rrahën me rrip, do të ballafaqohen me rripat e tjerë, sepse Kuvendi është i trafikantëve dhe shqiptarët meritojnë një tjetër.
Kreu i AK-së përmendi me shqetësim edhe mbylljen e Bursës së Tiranës, për herë të parë në vitin 2014, duke sjellë në vëmendje se e humbi një bast të vendosur me znj.Albina Karamitro, 15 vjet më parë.”