Akuza e çuditshme e PS: Partia Demokratike dëmton shëndetin
Sekretari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht anëtar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Ervin Bushati ka bërë sot një deklaratë të çuditshme për mediat.
Zyra e shtypit të PS, në njoftimin e nisur për mediat, citon se Bushatin i cili ka deklaruar se “Partia Demokratike dëmton shëndetin”.
Ai i bën thirrje Ministrisë përkatëse që të nxjerrë një paralajmërim zyrtar ku të shkruhet se “Partia Demokratike Dëmton Shëndetin!”.
Deklarata e plotë e Ervin Bushatit:
“Partia Demokratike dëmton shëndetin
Produkte të rrezikshme në treg mbajnë paralajmërim nëse dëmtojnë shëndetin e konsumatorit. Partia Demokratike, në mënyrë të përsëritur, kthen në politikë shumë investime apo funksione të shtetit: investimet në shkolla, investimet në rrugë, PPP etj.
PD politizon procesin e kontrollit bazë të shëndetit (check-up): qartësisht 27% të qytetarëve që nuk marrin pjesë sot në këtë skemë të parandalimit të sëmundjeve është ekzaktësisht sa përqindja e votuesve të PD.
Në një shoqëri civile mund të mirëkuptojmë PD-në dhe thirrjet qesharake për të mos shijuar investimet e qeverisë: Sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri apo dhe Bulevardin e Ri të Tiranës!
Ndryshon puna kur i bën thirrje qytetarëve të mos kujdesen për shëndetin e tyre. Ndoshta ka ardhur koha që Ministria e Linjës të nxjerrë një paralajmërim zyrtar: Partia Demokratike Dëmton Shëndetin!”.
KOHA JONË SONDAZH

