Akuzat e Bashës, Gjylameti: Fshati shqiptar po rimëkëmbet
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti reagon pas apelit të kreut të PD-së Lulzim Basha nga Korça. Deklaratave të tij se fermerët janë në krizë dhe sektori i bujqësisë është para kolapsit, deputetja e PS-së, i përgjigjet duke thënë se në fshat janë rritur eksportet dhe të punësuarit dhe kjo sipas saj, tregon se fshati po rimëkëmbet.
“Për qeverinë e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, për plot tetë vjet rresht, çdo shqiptar që banonte në fshat quhej i punësuar. Të gjithë e mbajnë mend Saliun që një vit thoshte do mbjellin lajthi, vitin tjetër harronte lajthitë e kujtohej për ullinjtë, më pas për hudhrat dhe qepët e si përfundim ata që vuanin ishin bujqit e fermerët, të cilëve u kalbej prodhimi”, tha ajo.
Deputetja e PS-së thotë më tej se, Lulzim Basha ka disa probleme të mëdha me të cilat herët ose vonë duhet të përballet.
“Së pari, duhet ta mbledhë mendjen e të mos i bëhet krahë informalitetit. Sot, ndryshe nga koha e Saliut, nafta në fshat rimbursohet 100% për këdo që ka faturë të rregullt, njësoj siç përfiton ulje në TVSH çdo fermer që paraqit faturë të rregullt për pesticidet dhe imputet bujqësore. Por sigurisht, që të përfitosh nga shteti duhet të jesh i rregullt me shtetin. Pasi ka mbaruar koha e informalitetit të Saliut dhe Lulit, që nxisin anarkinë, mospagimin e energjisë, ujit apo detyrimeve të tjera që kanë edhe ata që jetojnë e punojnë në fshat. Së dyti, Luli duhet të shpëtojë nga frika e përballjes me realitetin. Nuk ka pse të refuzojë gazetarët e ti pengojë ata në aktivitetet ku merr pjesë. Lajmet e servirura me kasetë, siç ka bërë rëndom gjatë gjithë karrierës së tij, tregojnë se Luli nuk është i sigurt as në atë që thotë, as në atë që qytetarët do i thonë. Ndaj preferon censurën dhe përzgjedhjen e informacionit nga zyra e tij e shtypit, jo nga media e lirë dhe gazetarët profesionistë. Ndërkohë, sa i përket fshatit, janë shifrat dhe faktet që flasin vetë, shumë herë më mirë se zëdhënësit e opozitës apo të qeverisë. Fakti që në një vit në fshat janë rritur edhe eksportet edhe të punësuarit, tregon se fshati shqiptar po rimëkëmbet”, thotë deputetja.
Më tej, Gjylameti shton se në fshat ka ende shumë për të bërë, por ky është vetëm fillimi i mbarë, ku qeveria e re po plotëson dita ditës premtimet e bëra.