Andi Bushati: Dy lajme të këqija nga Berlini
Gazetari dhe analisti i njohur Andi Bushati ka komentuar zhvillimet e fundit, siç ishte Samiti i Berlinit dhe kriza politike në vend.
Duke folur për Samitin e Berlinit, thirrur nga Merkel-Macron dhe ku morën pjesë lideret e Ballkanit Perendimor, ai tha se pati dy lajme të këqija por dhe një lajm të mirë që i “varrosi” lajmet e këqija.
Duke folur në “News 24”, Andi Bushati i renditi dhe i analizoi me radhë zhvillimet në Berlin.
“Lajm 1 i keq: Nuk marrim negociatat në qershor.
Lajmi 2 i keq, kriminaliteti shqiptar është i lidhur me qeverisjen në Tiranë dhe kjo konfirmon edhe vendimin e parlamentit holandez për vizat. Nis nga precedenti “Shqipëri”, Macron është shprehur kundër liberalizimit për Kosovën.
Lajm i mirë: Nën rreshta u lexua se aksi franko-gjerman rrëzoi idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Ideja e mbrapshtë e copëzimit të Kosovës është rrëzuar dhe pra ky lajm nuk krahasohet me këto të dyja që thamë më lart”, u shpreh Bushati.
Ndryshimet Kushtetuese
I pyetur për lëvizjen e partive të vogla të djathta që po kërkojnë ndryshimet kushtetuese, Bushati tha se në parim nuk është kundër tyre, por për çfarë duhen… lind pyetja.
“Ndryshimet kushtetuese nuk janë më një tabu se kushtetuta është bërë si beze e arnuar. Problemi është si të bëjmë një shoqëri më të mirë dhe një drejtësi të pavarur.
P.SH. Qeveria shpërndau për 2-3 televizione, 2 milionë euro sapo filloi kriza me opozitën. Unë mendoj se këto duhet të rregullohen dhe më pas të futemi tek ndryshimet kushtetuese. Fakti tjetër është se ndryshimet kushtetuese të 2008 e kanë çuar vendin prapa”, u shpreh Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

