Balla padit dy herë Bashën
Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë sot dy padi ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me akuzat për 3.4 milionë euro që u gjetën ne makinën “Toyota”.
Basha ka dorëzuar kallëzimin penal në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Padia e parë është për nxjerrje sekreti hetimor. Ndërsa padia e dytë është për shpifje.
Taulant Balla akuzon kreun për nxjerrjen e sekretit hetimor, në lidhje me dy automjetet tip “Toyota Yaris” që u bllokuan në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.
“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ( duke treguar me gisht nga Balla, që po qeshte bashkë me Ramën) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, ka thënë Basha ditën e enjte në Kuvend, e që sipas kreut të grupit të PS-së ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor.
Katër personat e arrestuar nga policia, si të përfshirë në kalimin nga Belgjika drejt Shqipërisë të 3.4 milionë eurove kanë mohuar para grupit hetimor të kenë pasur pjesë në këtë shumë parash. Ata mësohet të kenë pohuar se paratë nuk janë të tyret.

Padia për shpifje
KALLËZIM PENAL I TAULANT BALLËS PËR LULZIM BASHËN, PËR NXJERRJE SEKRETI
KALLËZUES: Taulant Balla, i biri i Kasem dhe Fatime , i dtl. 12.08.1977, lindur ne Lunik, Librazhd, me adresë për efekt njoftimi Rr.”Reshit Petrela”, Tiranë ose Selia e Partisë Socialiste, Sheshi Austria, Tiranë.
OBJEKTI: Kallzim i veprës penale “Nxerrje e sekretit hetimor”
KUNDËR:Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe Remzije, i dtl. 12.06.1974, lindur Tiranë , me adresë për efekt njoftimi, njësia Bashkiake nr 8, Rr”Demir Gashi”, nr 3 Tiranë, ose Selia e Partisë Demokratike, ish- SHQUP-I, Tiranë.
BAZA LIGJORE: Nenet 280, 283 të Kodit të Procedurës Penal.
DREJTUAR: Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
I nderuar Z.Prokuror!
Bazuar në nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale, jam detyruar të bëj këtë kallëzim penal, për veprën penale të cituar në objektin e këtij kallëzimi, duke parashtruar rrethanat e faktet konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohet se është kryer vepra penale, si edhe dispozitën që parashikon këtë vepër penale.
- Rrethanat e çështjes
Unë kallëzuesi jam deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. I kallëzuari është Kryetar i Partisë Demokratike.
Në fjalimin e tij në Kuvend të datës 21 qershor 2018, i kallëzuari Lulzim Basha ka folur rreth çështjes së hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit foli për shqetësimin e Gjermanisë, skeptike sipas tij për t’i dhënë ‘OK’ hapjes së negociatave me Shqipërinë. Gjithashtu është shprehur se opozita ka ndikuar pozitivisht në lidhje me këto negociata, fjali kjo që ka shkaktuar të qeshura në parlament.
Në këtë moment i kallëzuari i është drejtuar deputetit Taulant Balla me fjalët “Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para 3 ditësh, ka porositur një Toyota Yaris, po ta kanë zbuluar toyotën o zgërdhimtar bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda, vazhdo qesh se do të shikosh se çfarë do të të tundet përpara hundës shumë shpejt…”
Nëpërmjet këtij fjalimi Kryetari i Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha ka përhapur informacione që përbëjnë sekret hetimor.
Ka rezultuar i vërtetë fakti se më datë 24 qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare ka bërë identifikimin dhe ndalimin e 2 mjeteve tip “Toyota”, në të cilat janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara.
Policia e shtetit më pas në një deklaratë për shtyp ka informuar se: “Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.
Me marrjen e këtij informacioni, i’u është dhënë porosi gjithë strukturave në Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.
Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.
Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligjzbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.”
Më pas më 24 qershor është bërë ndalimi i 2 automjeteve së bashku me sasinë e parave të padeklaruara, si edhe ndalimi i personave të dyshuar për kryerjen e e veprës penale. Gjithashtu janë në kërkim personat e dyshuar si porositësit e vërtetë për të sjellë në Shqipëri këtë sasi parash.
- Ligji i zbatueshëm. Kodi i Procedurës Penale.
Neni 280” Marrja dijeni për veprën penale”
- Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.
Neni 283 “Kallëzimi nga ana e shtetasve”
(Ndryshuar numri dhe shtuar fjalia në pikën 3 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017)
- Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.
- Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.
III. Vlerësimi ligjor mbi veprimet e kallëzuara.
Duke marrë në konsideratë momentin kohor kur i kallëzuari prej meje ka vendosur të deklarojë si mësipër, deklaratën e policisë së shtetit dhe momentin kur është kapur sasia e parave, mua si kallëzues më lind dyshimi i se z. Lulzim Basha, me dashje të drejtpërdrejtë ka përhapur informacion mbi akte, veprime sekrete të cilat kanë ndihmuar persona të tretë. I kallëzuari nuk ushtron detyrë publike të një natyre nga e cila mund të vijë në dijeni të informacionit që ai ka përhapur, por ky informacion pa asnjë diskutim i është dhënë nga persona që kanë lidhje me hetimin dhe i kanë dashur pasojat e veprimeve të tyre.
Sikurse ka rezultuar nga hetimet paraprake, ka persona të cilët janë në kërkim dhe në vlerësimin tim, këta shtetas duhet të jenë larguar pasi kanë dëgjuar Z. Lulzim Basha në deklaratën e tij përpara kapjes së parave nga Policia e Shtetit.
Në momentin kur i kallëzuari bëri deklaratën e tij në Kuvend, fakti që ai tregoi u vlerësua prej meje si nga ato të shumtit që opozita përdor në zhargonin e saj të përditshëm.
Por deklarata e Policisë së Shtetit dhe më pas kapja e sasisë së parave më bëri të mendoj se i kallëzuari është informuar me qëllim prej personave që kanë patur dijeni mbi informacionin në mënyrë që personat që janë marrë me këtë punë të mund të shpëtonin.
Mënyrë tjetër të menduarit për mua nuk ka, pasi nuk mund të bësh të tilla deklarata në mënyrë të hapur , publike dhe përpara kamerave me transmetim në të gjithë vendin, pa menduar dhe dashur që të ndihmosh personat nën hetim.
I kallëzuari prej meje me profesion është Jurist, mjaft i formuar dhe i përgatitur. Duke qënë se ai ka ardhur në dijeni të faktit, ai duhej që ta referonte atë tek organet e policisë së shtetit ose tek prokuroria, por kurrsesi sikurse ai ka vepruar.
Për shkak të formimit të tij profesional, ai e di shumë mirë impaktin e nxjerrjes së fakteve dhe provave që kanë lidhje me një hetim penal. Ai e di shumë mirë se personat që janë marrë me transportin e parave janë përfituesit e vetëm tëveprimit të kryer prej tij. E di shumë mirë që mund të prishet i gjithë hetimi dhe puna e organeve ligjzbatuese.
Sikurse ka rezultuar, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim disa persona. Pra, ata nuk gjenden në Shqipëri dhe janë larguar. Nëse i kallëzuari nuk do të bënte publike të dhënat, ata persona nuk mendoj se do ta kuptonin sendaj veprimtarisë së tyre kriminale po kryheshin hetime sekrete policore.
Duke qenë se nga ana e të kallëzuarit janë nxjerrë fakte dhe rrethana që rezultoi të kishin lidhje me një hetim penal , çmoj se vepra penale e cila është e konsumuar nga i kallzuari mendoj se përfshihet në Kreun VIII, Seksioni IV i Kodit Penal, në grupin e veprave “VEPRA PENALE KUNDËR SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETËROR”.
I kallëzuari prej meje nuk ka një pozicion të tillë që të vijë në dijeni zyrtarisht me informacione, fakte apo rrethana që ai ka bërë publike.
Të gjitha të dhënat, faktet dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale që janë përhapur nga i kallëzuari, më vonë kanë rezultuar tepër të vërteta dhe kjo më bën të besoj se ai ka bashkëpunuar me persona të cilët janë në dijeni të një informacioni të tillë për shkak të detyrës.
Bashkëpunimi është kriminal, pasi ligji e ndalon përhapjen e informacioneve hetimore, sekreteve hetimore apo cdo të dhënë tjetër me pasoja për hetimin, që sikurse rezulton, personat nën hetim janë zhdukur nga Shqipëria duke mos u bërë e mundur kapja e tyre.
Megjithatë organi i Prokurorisë mund të ketë pas hetimit të fakteve dhe rrethanave të cilat mund t’i cilësojë ndryshe ato, nëse vendoset të hapet procedimi penal.
Në deklaratën për shtyp të datës 25 qershor 2018, transmetuar kjo edhe në mediat vizive i akuzuari është shprehur:
“Taulant Balla është garant i miliona eurove para të drogës të kapura në Toyota Yaris, që i përkasin një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës. Policia shqiptare veproi nën presionin e një prej vendeve partnere, që është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për Integrimin Europian.
I vetmi dekonspirim është ai i planit të Taulant Ballës dhe i strukturave brenda Policisë së Shtetit dhe Parlamentit shqiptar për të çuar deri në fund bashkëpunimin me një nga bandat kryesore të drogës së Elbasanit dhe për të futur miliona euro të drogës në Shqipëri.
Edi Ramën, Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, Erjon Veliajn i lidh trafiku i drogës, pastrimi i parave, ndërtimi i kullave, siç janë këto të Teatrit Kombëtar. Ndërtimi narkoshtetit nga Edi Rama është arsyeja pse këtë javë Bashkimi Europian, vendos që Shqipëria s’i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave”.
Pra, i kallëzuari prej meje Z. Lulzim Basha ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor dhe nuk është mjaftuar me kaq, por ka ngritur dhe akuza mbi deputetin Taulant Balla se kjo ishte porosi e tij apo duke përfshirë edhe deputetë të tjerë .
Përsa i’u përket këtyre deklaratave, unë mendoj se këto janë bërë nga i kallëzuari pasi ai e ka kuptuar impaktin e veprimit të tij kriminal dhe ka dashur që ta kalojë në diskursin e tij të zakonshëm politik dhe publik.
Për sa më sipër, duke shprehur besimin e plotë në organin e prokurorisë kërkoj:
- Procedimin penal të të kallëzuarit dhe dërgimin e tij për gjykim.
KALLËZUES, Taulant BALLA
KOHA JONË SONDAZH

