Balla: PS mbron rëndësinë e LANÇ, si një faqe e lavdishme e historisë kombëtare
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e festimeve të 5 Majit në Muzeun Historik Kombëtar.
Në fjalën e tij, Balla tha se mesazhet e Luftës Antifashiste janë mesazhe që ne duhet t’i përcillen tek çdo vajzë e djalë që lind e rritet në këtë vend.
Sipas Ballës, Shqipëria nuk do të ishte ky vend që është sot pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
“Refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje që guxon të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen. Partia Socialiste bën të gjitha përpjekjet, duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm si një faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen”, deklaroi Balla.
Fjala e Taulant Ballës:
Mesazhet e Luftës Antifashiste janë mesazhe që ne duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pas asnjë lëkundje, tek të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër dhe tek çdo vajzë e djalë që lind e rritet në këtë vend, që nuk do të ishte kurrë ky që është sot pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Ne refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje që guxon të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen. Prej 28 vitesh vijojnë përpjekjet e dështuara të nxijnë LANÇ, por nuk ja kanë arritur dot. Dhe nuk do t’ia arrijnë edhe së fundmi. Nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo qeverie shqiptare.
Por vetëm nderimi nuk mjafton. Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite.
Partia Socialiste bën të gjitha përpjekjet, duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm si një faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen.
Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e saj në Qeverinë qëndrore dhe ato vendore janë të angazhuar në kujdesin për varrezat e dëshmorëve në cdo qytet, kujdesin për lapidarët në kujtim të heronjve. Ligji që sapo kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për Statusin e Dëshmorit” është një konfirmim i këtij angazhimi të vazhdueshëm tonin.
KOHA JONË SONDAZH

