Basha: Pranojmë gabimet tona, por kemi reflektuar
Nga Durrësi, në Akademinë Politike të Partisë Demokratike, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha u shpreh se partia që ai drejton tashmë ka reflektuar për gabimet e të shkuarës. Ai tha se aleanca nuk do ta kërkojë votën për të sjellë në pushtet Partinë Demokratike, por qytetarët.
Lulzim Basha tha se aktualisht integrimi i vendit është vënë seriozisht në rrezik.
“Integrimi europian i vendit është në rrezik. Nuk mund të hapen negociatat me një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin, që dhunon maturantët e tij, nuk mund të hapen negociatat me një vend ku vidhet ditën për diell nga qeveritarët. Shpresa e ndryshimit quhet PD që i prin rinia demokrate”, tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike theksoi të rinjtë e kanë rrugën e hapur në Partinë Demokratike, ndërsa elitat do të qarkullojnë.
“Rinia demokrate dhe rinia shqiptare po ngrihet me një përkushtim të rinovuar. Na bën krenar se e nesërmja do të jetë europiane do të jetë kombëtare”, tha ai.
Ai përmendi edhe ligjin për importin e mbetjeve, duke thënë se për të do të vendosin qytetarët me referendum.
Basha tha se Partia Demokratike do të nisë dialogun me qytetarët në dhjetëra sesione paralele në të gjithë vendit.

