Basha-socialistëve: Jeni përgjuar nga partnerët duke bërë pazare në Selanik
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PD, Lulzim Basha duke iu drejtuar Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafës tha se janë përgjuar nga shërbimet partnere duke bërë pazare në Selanik. Basha tha se askush nuk ka për të shpëtuar.
“Ju keni vëllain e ministrit të dënuar për trafik droge. Derrkuci i Toyta Jaris jeni të përgjuar nga shërbimet partnere. Nuk keni për t’i shpëtuar kësaj. Jeni përgjuar duke bërë pazare me ‘bacën’ në Selanik. Jeni të përgjuar dhe ua kanë vënë kryqin nga Berlini në Romë, por kryqin e madh do ua vendosin shqiptarët”- tha Basha.
“Peshqit e mëdhenj”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar nga parlamenti ndaj deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu të bëra sot në një aktivitet me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Duke iu drejtuar ambasadorit amerikan, Basha tha se peshqit e mëdhenj i ka në krah në çdo pritje zyrtare.
“Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podium e qeverisë këtu në parlament. Edi Rama zgjodhi krimin dhe jo Shqipërinë sepse ai nuk ka më liri për të zgjedhur. Ai nuk është thjesht një politikan i korruptuar dhe inkriminuar: ai është një politikan i kapur dhe kontrolluar krejtësisht nga krimi”, deklaroi Basha.
Sipas tij Shqipëria ka nevojë për ndryshime të thella dhe ndryshimi i parë është vetëm largimi i Ramës.
“Por ndryshimi i parë dhe fillimi i të gjitha ndryshimeve të tjera është largimi i Edi Ramës dhe bashkë me të i regjimit të tij kriminal. Vetëm atëherë Shqipëria do të ketë sërish mundësi të shohë përpara më optimizëm”, u shpreh Basha.
Replikat Basha-Balla
Replika të ashpra kanë shkëmbyer mes tyre kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Socialisti Balla ka kërkuar masë disiplinore për Bashën, duke e akuzuar se shkeli kodin e etikës. Por ndonëse nuk ka dashur të replikojë me Ballën, nuk ka munguar përgjigjja e kreut të PD-së.
“Përdorin në Kuvend një gjuhë të papranueshme nga Kodi i Etikës. Unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës që kauzat e tyre janë fashitur në betejat me mullinjtë e erës. Këta persona të papërgjegjshëm nuk mund të lihen jashtë vëmendjes më lejoni të them se për deputetin parafolës do t’i kërkoj Byrosë së Kuvendit për marrjen ne masave disiplinore”, deklaroi Balla.
Ndërsa duke iu referuar projektligjit për Teatrin ai theksoi se sot kuvendi autorizon procedurën për negocimin dhe lidhjen e kontratave me objekt.
“Nuk është më parlamenti që vuloste kontratat që bënte ai zotëria atje dhe i sillte për vulë në parlament. Projektligji që ne votojmë sot më së fundi i jep fund të gjitha spekulimeve, gjithë baltës të hedhur në një nga projektet më të rëndësishme. Teatri do të bëhet. Nëse me luftë Luli nën kupton investimet tona për vepra që na bëjnë të ndihemi krenarë atëherë po Lul jo vetëm që e kemi hapur këtë luftë por do e vazhdojmë deri sa ta kemi transformuar dhe modernizuar çdo qytet”, deklaroi socialisti Taulant Balla.
Pas tij e ka marrë fjalën Basha, por ndërsa fliste ka pasur ndërhyrje nga vendi nga ana e Ballës, çfarë ka bërë që kreu i PD-së të shpërthejë në të shara ndaj deputetit socialist.
“Me kërriçin e Toyota Yaris nuk kam ndërmend të replikoj. Këtë teke le ta hajnë këta të tjerët. Derrkuc qepe gojën. Qepe gojën hajdut”, tha Basha.
Kreu i PD-së tha se para 10 muajsh kishte paralajmëruar 3 gjëra që do ndodhnin dhe sipas tij ato kanë ndodhur.
“10 muaj më parë nga kjo foltore paralajmërova 3 gjëra. E para, se pas fazës së trafikut masiv të kanabisit, krimi në vend do evoluojë një fazë më të rë e më të rrezikshme trafikun e drogave të rënda dhe mbi të gjitha pastrimin e parave të krimit dhe kapjen e ekonomisë nga krimi. Paralajmërova se në Shqipëri do shkatërrohej çdo proces demokratik për t’u zëvendësuar me sundimin e një njeriu. Paralajmërova se i vetmi interes i Ramës do ishte ruajtja e pushtetit të tij me thonj e dhëmbë. Edhe pse isha i bindur që këto gjëra do të ndodhnin, as unë vetë nuk e kisha menduar se brenda 10 muajve do të provoheshin plotësisht por në një kohë të shkurtër i gjithë shteti do degradonte. Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se Europa në 10 vjet. Këto 10 muaj e keqja ka dalë në shesh pa makijazh, pa ngjyra, pa fasadë. Rilindja ka dalë lakuriq, cullak dhe të gjithë e kanë zbuluar se ajo është një kërmë”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.
KOHA JONË SONDAZH

