Basha: Të largohet çdo politikan që nuk justifikon pasurinë! Dhe ne kemi pasur llumin tonë
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dalë në konferencë për gazetarët pasi ka dorëzuar në Kuvend tre amendamentet kushtetuese të miratuara nga PD.
Basha e vë theksin te njëri prej amendamenteve, te vettingut në politikë, duke thënë se çdo politikan që nuk justifikon pasurinë e tij duhet të largohet.
Ndonëse pranon se edhe kur PD ishte në qeveri kishte korrupsion, Basha thotë se është interes kombëtar që të pastrohet Shqipëria nga “llumi”.
“Kjo që është depozituar në Kuvend përfaqëson vullnetin politik të PD. Unë gjykoj se ndryshimet kushtetuese duhet të kenë patjetër konsensus, jo të shikohen si masa propagande, është interesi i të gjithë shqiptarëve që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që në 30 vjet kanë përdorur politikën për tu pasuruar.
Ne nuk jemi ekspeditë ndëshkimore, ne jemi opozita e vendit, jemi zëri dhe aspirata e qytetarëve që duan një gjë ndryshe. Kemi detyrimin moral në radhë të parë dhe detyrimin politik që këtë që vlon nga kafet e qendrës së Tiranës deri tek ato të Vermoshit e Konispolit ta përkthejmë në vullnet politik për të ndryshuar.
Çdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, familjarëve apo ortakëve duhet të largohet nga politika dhe ky mekanizëm i largon nga politika. Çdo politikan i lidhur me krimin e organizuar apo përdor një strukturë kriminale për të vjedhur vota, për të dhënë leje ndërtimit, për të futur njerëz në punë, për të futur njerëz në politikë, kur duhet të jenë para drejtësisë, ky mekanizëm i largon. Ky është interes kombëtar dhe jam i bindur që nuk ka socialist të ndershëm, çfarëdo mendon për mua, që nuk më jep të drejtë kur sheh kacidhet në fund të muajit dhe sheh bosët. Dhe ne kemi patur llumin tonë. Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një, nuk ka rëndësi pas cilës sigël fshihet”, tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

