Berisha: Basha-Alibeaj-Bardhi po krijojnë parti të re

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha deklaroi se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj janë angazhuar në mënyrë të turpshme në manipulimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. I ftuar në Çim Peka Live, zoti Berisha tha se shumica e deputetëve njohin Kuvendin e 11 Dhjetorit dhe rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 6 marsit dhe shprehu bindjen se me deputetët do të gjendet gjuha e përbashkët. Berisha tha se baza e Partisë Demokratike po shkon drejt bashkimit. Ish-kryeministri u ktheu përgjigje edhe thirrjeve të Ramës për hetimin e tij nga SPAK-u.

– Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi gjatë emisionit ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv se ish-kryetari Lulzim basha dhe Enkelejd Alibeaj janë angazhuar në manipulimin e grupit parlamentar demokrat. Berisha tha se Basha e Alibeaj po bëjnë gjithçka për krijimin e partisë së tyre.

Duke u nisur nga leximi i emrave të 32 deputetëve nga Enkelejd Alibeaj, Berisha e akuzoi atë për manipulim të vullnetit të deputetëve dhe theksoi se shumica e grupit parlamentar demokrat njeh Kuvendin e 11 dhjetorit dhe zgjedhjet e 6 marsit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Janë angazhuar në një proces të turpshëm manipulimi të grupit parlamentar. Kjo është 100% e sigurt. Duke u angazhuar në këtë proces ata i lejuan vetes të vazhdojë qëndrimin e mosnjohjes së Kuvendit të 11 Dhjetorit. këtu fillon çdo gjë. Basha dhe Alibeaj bëjnë gjithçka që edhe tani nëpërmjet Ramës të hedhin poshtë Kuvendin e 11 Dhjetorit, votimin e 6 marsit. Që këtu besoj se ata bëjnë gjithçka për të krijuar partinë e tyre”, tha Berisha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke folur për zgjedhjet në degët e partise që po zhvillohen me parimin një anëtar një votë, Berisha tha se asnjë prej kandidatëve nuk është miratuar nga kryetari apo kryesia por vetëm nga anëtarësia e Partisë Demokratike duke përcaktuar kështu fundin e kryetarokracisë në PD.

“Çfarë kemi premtuar ne? Ne kemi përcaktuar fundin e kryetarokracisë dhe kryesiokracisë. Kemi premtuar vendosjen në themel të partisë së themeluar votën e anëtarësisë, votën e lirë. Në një hap të paparë gjer sot në Shqipëri, zgjedhjet e 6 marsit u organizuan me kandidatë që vetëkandiduan, morën miratimin e anëtarësisë dhe dolën e garuan. Është një rithememelim kjo. Jo vetëm të organizimit, por të të gjithë vlerave të partisë, fundin e kryetarokracisë”.

Berisha tha se pavarësisht problemeve, baza e demokratëve po shkon drejt bashkimit të vërtetë. Ish-kryeministri Berisha reagoi edhe ndaj deklaratave të Taulant Ballës, në lidhje me negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Kreu i grupit të PS tha se nuk do merremi me Foltoren por me Alibeaj. Kjo nuk më lëndoi, por më nderoi. Do qëndrojmë opozitë e vërtetë”.

Ish-Kryeministri Berisha e cilësoi Edi Ramen si kreun e një organizate kriminale, referuar aferës së inceneratorëve ku siç tha ai, nga kryeministri deri te vartësit kanë fimosur për të vjedhur bashkërisht mbi 430 milionë euro.

Ai iu përgjigj edhe thirrjeve të Edi Ramës në Kongresin e Partisë Socialiste që SPAK të hetonte Sali Berishën.

“Nuk njoh asnjë parashkrim, por kërkesa e Ramës ‘skape’ Berishën, faktoi atë që kam thënë që ajo është SPAK-u i partisë. Rama e faktoi para shqiptarëve dhe botës. Ai ndahet keq dhe humbet kontrollin dhe i thote SPAK-ut ‘skape’ Berishën”.

Ish-kryeministri Berisha tha se afera e inceneratorëve nuk është e vetmja pasi, siç u shpreh ai, ka afera të tjera me potencial edhe më të madh./syri.net/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?