Bojkoti i opozitës,ndërkombëtarët ndërmjetësojnë për marrëveshjen

 Zyrtarë të Parlamentit Europian (PE) pritet të ndërmjetësojnë mes palëve politike në Shqipëri për t’i dhënë zgjidhje ngërçit në parlament, i shkaktuar nga bojkoti i opozitës së djathtë. Shtypi i sotëm shkruan se PE do të angazhohet zyrtarisht për ta bindur opozitën që të kthehet në Kuvend, që e ka braktisur prej disa muajsh, duke negociuar për arritjen e një marrëveshje mes dy kampeve.
Për këtë qëllim janë emëruar dy negociatorë, socialdemokrati gjerman, Knut Fleckenstein, që është dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, dhe sllovaku, Eduard Kukan, që pritet të vizitojnë Tiranën javën e ardhshme.
Nisma e raportuesit Fleckenstein, e përkrahur nga ish-kreu i delegacionit për Ballkanin, synon kthimin e opozitës në Kuvend brenda këtij muaji, për të punuar më pas mbi një pr/ligj që synon dekriminalizimin e parlamentit. Ky draft parashikohet të miratohet me konsensus brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh i hapur për miratimin e çdo propozimi të opozitës që do të ndihmonte rritjen e transparencës së parlamentit. Ai tha se tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat e saj, si ato për komisionet hetimore, ashtu dhe ato për të drejtën e fjalës në Kuvend. “Janë plotësuar të gjitha kushtet, janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit”, u shpreh kryeparlamentari.
PD ka bojkotuar prej pesë muajsh punimet e Kuvendit, në shenjë proteste ndaj sulmit fizik të një deputeti të mazhorancës ndaj një deputeti demokrat. Ndërkohë, seanca e fundit për këtë sesion parlamentar, shënon dhe afatin e fundit për deputetët e opozitës, që të kthehen në parlament, në mënyrë që të mos u digjen mandatet.

SHKARKO APP