Bushati: BE dhe Kina dy aspekte plotësuese të njëri-tjetrit për Shqipërinë
Dimension të ri në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kinës. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në ceremoninë e organizuar me rastin e 65 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë. Bushati tha se Bashkimi Europian dhe Kina përbëjnë për Shqipërinë dy aspekte përplotësuese të njëri-tjetrit, sidomos në fushën e ekonomisë.
"Në këtë kontekst, iniciativa e fundit e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës", tha Bushati.
Kreu i dplomacisë shprehu nevojën për krijimin e një platforme solide bashkëpunimi në të ardhmen dhe kjo sipas tij, nënkupton që tregjet tona të shndërrohen në tregje për investimet kineze. "Aktualisht, Kina është partneri i dytë tregtar pas BE-së, me 6% qind të totalit të vëllimit, ndërsa eksportet shqiptare drejt Kinës po rriten ndjeshëm.
Ne na duhet të garantojmë një klimë sa më të përshtatshme për investimet kineze, sidomos në fusha me interes si energjia, burimet minerare, turizmi, etj. Kremtimi i 65-vjetorit të marrëdhënive diplomatike mes dy vendeve dëshmon dhe jetëgjatësinë e miqësisë sonë, që nuk është e kushtëzuar por e bazuar në mirëkuptim.
Viti ’78 tregoi se ishte Teng Hsiao Pingu ai që me politikën e dyerve të hapura tregoi se sa i rëndësishëm ishte reformimi i shoqërisë kineze. Por, fatkeqësisht, Shqipëria nuk arriti ta kuptonte rëndësinë e reformimit dhe vijoi kokëfortë rrugën e saj të izolimit. Kaluan dhe 12 vjet të tjera para se të fillonim transformimin rrënjësor dhe të pakthyeshëm të shoqërisë sonë, u shpreh Bushati. Sipas tij, pas 25 vjetësh, ne e kuptojmë mirë se sa e vështirë është rruga e transformimit demokratik, por dhe se ajo është e vetmja rrugë për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët tanë.
Duke vënë në dukje rritjen impresionuese ekonomike, të cilën Kina ka arritur ta ruajë, pavarësisht krizave të rënda që po kalon ekonomia botërore, ministri i Jashtëm tha se kjo tregon fuqinë dhe rolin e saj të patjetërsueshëm në ekonominë globale. “Brenda një periudhe të shkurtër kohe Kina arriti të bëhej ekonomia e dytë në botë, me një rritje mesatare vjetore prej afro 10%. Që nga vit ’78, kur filloi politika e dyerve të hapura mbi 500 milion kinezë kanë arritur të dalin nga varfëria. Stabiliteti dhe rritja e saj konstante ekonomike kanë ofruar jo vetëm një ndihmesë të pazëvendësueshme, por dhe një frymëmarrje për ekonominë globale, e cila ende vuan nga pasojat e krizës financiare”, u shpreh kreu i diplomacisë. Bushati theksoi se ndonëse jo në lartësinë e Kinës, edhe Shqipëria sot në shumë tregues ka njohur transformime të thella gjatë çerekshekullit të fundit. “Ne sot jemi vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE dhe po ashtu falë stabilitetit dhe politikës së jashtme në rajon, marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë po marrin një dimension të ri, i cili duhet të shfrytëzohet dhe më shumë”, tha kreu i diplomacisë shqiptare.