Dialog përmes Nishanit, Ndoka: Rama kërkon të fitojë kohë me akrobacira

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, është skeptik lidhur me gatishmërinë e kryeministrit Edi Rama për të qenë i pranishëm në një tryezë të Presidentit për zgjidhjen e krizës politike.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Ndoka thotë se Rama po kërkon vetëm të fitojë kohë përmes këtyre akrobacirave.

Ndoka: Edi Rama për fat të keq po kërcen sa në një degë në tjetrën. Shpresojmë që mos të mbetet në ndonjërën prej tyre. Dialogu nuk ka nevojë të kalojë sa nga Nishani, tek çadra. Kryeministri nuk e ka njohur asnjëherë institucionin e Presidentit, megjithëse është shkaktari që ka shembur Kushtetutën duke e zgjedhur Presidentin nga një palë. Nëse ai është ndërgjegjesuar dhe ulet dhe kërkon një zgjidhje tek Presidenti i Republikës është pozitive jemi dakord të ulemi. Por nuk është kjo forma, ai kërkon të fitojë kohë me këto akrobacira. Dialogu nuk është i pamundur. Ekziston vetëm mungesa e vullnetit nga Kryeministri. Opozita ka vetëm një kërkesë, qeveri teknike dhe çlirimin e zgjedhjeve.Infrastruktura më e mirë në këto raste është largimi i Kryeministrit.Ai do ta çlironte skenën politike nga këto grupe kriminale, interferimin e tyre, do shkatërronte skemën që ka në mendjen e tij për manipulimin e zgjedhjeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke përshëndetur pozicionimin e LSI për të mos shkuar në zgjedhje pa opozitën, Ndoka thotë se nëse Meta u qëndron këtyre deklaratave do të shkurtonte krizën.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndoka: Vendimet dhe qëndrimet e LSI dhe Metës kanë qenë parimore, shpresojmë tu qëndrojë. Do ta shkurtonte tejzgjarjen e kësaj krize. Kryeministri është në prag të greminës, nëse e vazhdon më tej është e pashmangshme që të mos bjerë në atë greminë. Besoj se Meta është ndërgjegjësuar dhe nuk ka nevojë të ketë fatin e Ramës.

Deputeti sqaroi edhe tentativën e diplomatit të lartë të BE për të përçarë opozitën.

Ndoka: Ata janë më tepër kontakte informuese, ku ky zyrtari i lartë kërkonte informacion nga politika shqiptare, partitë parlamentare të opozitës por dhe parti të tjera politike. Por për fatin e keq u vërejt se ai e kaloi limitin, vijën e kuqe të një diplomati duke u përpjekur të ushtrojë diversion edhe brendapërbrenda opozitës me skema dhe propozime të ndryshme. Ideja ishte që partitë e vogla parlamentare duhet të shfrytëzojnë rastin në këtë moment që të futen në zgjedhje duke anashkaluar partinë më të madhe opozitare duke u krijuar mundësi që të marrin disa mandate më tepër në Kuvendin e Shqipërisë.

Mendoni se ka përfaqësuar Brukselin?

Ndoka: Jo ky ishte dhe shqetësimi ynë për faktin se dukej qartë që i kaloi caqet diplomatike, nuk kishte ndodhur asnjëherë në takimet zyrtare, janë tjetër takimet informale ku ka tendenca të tilla.Por takime zyrtare në prezencën e katër partive politike ishte me të vërtetë shqetësuese, ndoshta ishte një tulatje e tij apo devijim, nuk arritëm ta kuptonim. Por ishte një shqetësim dhe për ne është shumë e rëndësishme që ky fenomen të mbyllet në pjesën e zyrtarëve apo përfaqësuesve të lartë të BE. Flasim për standarte dhe probleme që e shqetesojnë opozitën shqiptare dhe jo për tu bërë palë me opozitën apo mazhorancën kushdo qofshin këto. Ka tendenca nga disa zyrtarë që përpiqen përmes lidhjeve dhe lobingjeve edhe të pista në shumicën e rasteve, edhe të iniciuara nga qeveria. Edhe Europa është e ndarë në parti poltike të majta dhe të djathta. Por kur këto hasen në nivele diplomatike dhe institucionale janë shqetësuese. U ndesha me një fenomen të tillë dhe në Maltë në Kongresin e PPE. Ishte një ndikim i drejtëpërdrejtë i segmenteve të qeverisë përmes lobingjeve, interferimeve politike. Një tendencë për të futur një rezolutë në parlament dhe kishte një interesim të mediave shqiptare që janë afër Kryeministrit dhe qeverisë që interesoheshin për një rezolutë që nuk ishte miratuar. Pra kishin informacionin se do ketë një rezolutë të tillë dhe kjo lë një shije të hidhur. Tentohej të futej një nen ku dënohej bojkoti parlamentar. Deri aty ishte tendenca që një qeveri e majtë tenton të interferojë.

Roli i Mogherinit?

Ndoka: Jo ishte më tepër shoqëruese sesa kishte një rol të drejtëpërdrejtë. Prandaj kemi kërkuar sqarime zyrtare dhe të mos përsëritet më. Për ne është me rëndësi që të jenë të qartë për situatën politike në Shqipëri. Të mos marrin informacionin nga informatorë që shtrembërojnë realitetin. Ka mungesë informacioni dhe informacion të deformuar. Bojkoti i parlamentit është një vendim shumë i rëndësishëm me kosto, jo i marrë me dëshirë, por ishte e pamundur. Ka një kosto politike, morale dhe në raportin me faktorin ndërkombëtar por shpresojmë që Kryeministri do të kthjellohet në mënyrë që javët që vinë të japin një zgjidhje llogjike për ta zhbllokuar këtë krizë artificiale që në një farë mënyrë është krijuar prej tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?