Djegia e mandateve, Balliu tregon kush ja kërkoi: T’i nxijmë jetën Ramës
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ishte i ftuar në emisionin ”Mirëmëngjes nga Xhaxhiu” në ”Fax News”, ku ka folur rreth protestës së opozitës, por edhe mënyrën se si PD do të vazhdojë qëndresën e saj ndaj qeverisë.
Në lidhje me diskutimet për djegien e mandateve, ai deklaroi se e kishte propozuar diçka të tillë për shkak se është një kërkesë që vjen nga poshtë, baza kërkon diçka të tillë. Sipas tij e vetmja rrugë për opozitën ka mbetur revolta, duke paralajmëruar qeverinë se po u vazhdua në këtë mënyrë qytetarët do të revoltohen aq shumë sa vrullin e tyre nuk do të mund ta ndalë as opozita vetë, siç bëri në protestën e fundit, ku u tërhoqën pas ndërhyrjes së kryetarit Basha.
”Zgjidhje brenda sistemit politik nuk mund të ketë, sistemi ka rënë. Në momentin që qytetarët të vendosin se kështu nuk vazhdohet më, edhe opoziota nuk mund ti përmbajë”, tha Balliu.
I pyetur nga një qytetar nëse PD-ja ishte e gatshme për të shkuar në zgjedhje, pasi Rama sipas tij po bën fushatë. Balliu deklaroi se qëllimi nuk është që nesër të vijë në pushtet Basha, por si fillim të arrihet deri aty sa të ketë garë.
”PD nuk po e bën luftën që nesër të vijë në pushtet Lulzim Basha, ne po e bëjmë për garën, që të arrihet deri aty duhet të shembet sistemi kriminal i Edi Ramës, dhe kështu zgjidhja është revolta, duhet tja nxijmë jetën Edi Ramës siç ai ua nxin ai jetën shqiptarëve”, u shpreh ai.
Sa i përket ndërkombëtarëve, se PD-ja kishte kompleks ndaj tyre dhe çdo moment tentonte të tregonte se ishte një parti paqësore, deputeti demokrat deklaroi se PD-ja është vërtetë një parti kundër dhunës dhe këtë e ka në natyrën e saj por që nuk lidhet me ndonjë kompleks ndaj ndërkombëtarëve.
KOHA JONË SONDAZH

