Dokle-Ramës: Libri nuk është mall. Pengjet që më larguan nga politika
Ish-deputeti dhe një ndër themeluesit e Partisë Socialiste, Namik Dokle, ka folur për politikën dhe letërsinë, duke u shprehur se këta dy profesione janë xheloze ndaj njëri-tjetrit. Në emisionin ‘Rreze Dielli’, në Report Tv, Dokle u ndal te largimi i tij nga politika, teksa sqaroi se kishte disa pengje në letërsi, të cilat duhet t’i plotësonte.
“Politika dhe letërsia janë xheloze ndaj njëra-tjetrës, ndaj dhe mendova që disa pengje që më kishin mbetur nga letërsia t’i përmbushja, ndaj dhe vendosa të mos kandidoj më si deputet”, tha Dokle.
Më tej, ish-deputeti i PS u ndal te krijimtaria e tij, duke thënë se ka shkruar drama që nga viti 1973.
“Që nga viti 1973 kam shkruar drama, dhe mendoj se do të shkruaj edhe ndonjë tjetër. Kam shkruar drama dhe radiodrama, që këto të fundit janë transmetuar në ‘Radio Tirana’. Ka dhe të tjerë shkrimtarë që janë marrë me politikë, si Dritëro Agolli, Sabri Godo, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, etj. Por e kuptoj që edhe ata kur shkruajnë, nuk duan të merren me politikë. Është e domosdoshme të mos përzihesh me gjëra tjera, kur shkruan. Ka shumë gjëra që i ndan, por një gjë i bashkon politikën me letërsinë, pasioni, asnjëra nuk bëhet pa pasion. Të lexuarit është një element shumë i rëndësishëm”, shtoi politikani.
Ndër të tjera, Namik Dokle bëri thirrje që libri artistik të mbështetet dhe të trajtohet si element i kulturës dhe edukimit. Ndërsa shtoi se akademikët janë këtu, por duhet gjetur dhe vlerësuar.
“Libri është mall, këtë duhet ta ketë parasysh dhe qeveria, libri nuk duhet trajtuar si mall. Libri artistik duhet mbështetur fuqishëm, nuk ka mbështetjen e duhur. Libri duhet trajtuar si element i kulturës dhe edukimit. Ne nuk e njohim mirë gjuhën tonë dhe unë mundohem ta ruajë atë. Akademikët janë këtu, por problemi është t’i gjejmë dhe t’i vlerësojmë”, theksoi më tej Dokle.
“Nuk do ti trembesha Vettingut”
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, ka deklaruar se nuk do t’i trembej aspak Ligjit të Vettingut, nëse do të ishte akoma deputet. I larguar nga politika pas 27 vitesh, Dokle deklaroi në ekranin e Report Tv se nuk do të frikësohej kurrë nga Vettingu.
Sipas tij, ata që tremben nga ky ligj nuk dalin në këmbë nëpër Tiranë, siç bën ai.
“Absolutisht kurrë, sepse ata që tremben nga Vettingu nuk dalin në këmbë, siç i bien pash më pash Tiranës”, tha Dokle.
KOHA JONË SONDAZH

