Edith Harxhi: Marrëveshja Rama-Basha ende në fuqi, do të nisin lëvizje të reja
Edith Harxhi, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, e ftuar në Syri.net tha se kjo parti nuk ka pasur asnjëherë më parë problem sa ka sot.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, paralajmëroi nisjen e lëvizjeve politike brenda partive me synimin për të bërë ndryshimet.
Harxhi tha se PD duhet të ndryshojë lidershpinin e saj, ndërsa identifikoi kreun demokrat Lulzim Basha si problemin kryesor në këtë parti.
Në këtë kuadër, ajo theksoi se Basha megjithëse ka disa muaj që është rizgjedhur, sipas mënyrës së tij në krye të PD, nuk ka bërë asnjë përpjekje për bashkimin e PD.
“Përpjekja po bëhet nga anëtarët, por jo nga kryetari”, tha Harxhi. Sipas saj, marrëveshja e 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës është ende në fuqi dhe do të jetë përsa kohë të dy liderat e dy partive do të mbajnë njëri-tjetrin. Sipas Harxhit, sot opozitën më të fortë në Kuvend nuk po e bën PD dhe as LSI, por ish-kryeministri Sali Berisha.
“Mendoj se zoti Berisha po e ndjek me kujdes situatën që po ndodh në PD dhe pavarësisht se ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të rikthehet në lidershipin e kësaj partie, mendoj se ai po e ndjek gjithashtu me shqetësim këtë situatë”, tha Harxhi.
Referuar propozimeve për ndryshimet statutore, Harxhi tha se përmes tyre synohet zgjidhja e problemeve të shumta që ka sot partia më e madhe e opozitës.
Por Harxhi shtoi se këto problem që ka sot PD nuk kanë të bëjnë vetëm me ndryshimet në statut por edhe me lidershipin, krizën e lektoratit, krizën morale.
“PD sot nuk jem më shpresë, dhe këto ndryshime që ne propozojmë besoj se rikthejnë shpresën. Mendoj se shifrat e anëtarësisë së PD janë të manipuluara, nuk janë mbi 100 mijë anëtarë ashtu sikundër deklarohet dhe këtë mjafton ta provosh duke parë strukturat e PD”, theksoi Harxhi.
Në vijim ajo shtoi se zgjedhjet e 22 korrikut, ku u zgjodh kreu i PD-së ishin të manipuluara dhe përmes këtyre ndryshimeve synohet që forca t’i jepet anëtarëve të Partisë Demokratike. “Përmes ndryshimeve të propozuara synohet që strukturat drejtuese të PD, si p.sh Këshilli Kombëtar të marrë rolin që i takon në vendimmarrjet politike, për çdo marrëveshje, madje edhe për programin dhe mënyrën sesi PD do të organizojë fushatat”, tha Harxhi.
Sipas saj, listat e kandidatëve për deputet nuk mund të bëhen më nga një individ i vetëm në minutat e fundit, por kjo kompetencë i kalon anëtarësisë së partisë.
“Autoriteti i zotit Berisha në PD është i padiskutueshëm, ai është lideri historik i PD-së. Por paravësisht kësaj, strukturat tona funksiononin, kryesia merrte vendim. Ne kemi pasur eksperienca të tilla, ndërsa propozimet që ne bëjmë synojnë demokratizimin më tej të PD. Njerëzit kanë humbur shpresën nga politika dhe kjo mund të zgjidhet ose duke krijuar një lëvizje politike ose duke krijuar një lëvizje kundër stablishmentit”, tha Harxhi.
KOHA JONË SONDAZH

