Elisa Spiropali: 16 vjet pa At Zef Pllumin

Nga Elisa Spiropali:

Oktavio Paz thoshte se një komb prishet, kur prishet ligjërimi i tij. At Zef Pllumi është ndër personalitetet e mëdha me një ndihmesë të jashtëzakonshme që kombi ynë të jetë sa më i fortë e i denjë, e këtë e ka bërë me shembullin e me ligjërimin e tij.
Ai, si bashkëvellezërit e tij meshtarë, përbëjnë atë “kordon ombelikal” që siç e shpjegon bukur Kadareja te “Dante i pashmangshëm”, ka kontribuar për ta mbajtur lidhur Shqipërinë me Europën.

Këtë përpjekje për një ndërlidhje sa më të fortë të kulturës shqiptare me atë perëndimore, At Zefi e ka shprehur: “Nigjo Ismail, historia jonë është një histori llogoresh, sot unë e ti gjindna bashkë në të njajtën llogore në mbrojtje të kulturës dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve dhe e kam për nder.”
Kjo tendencë e kulturës shqiptare drejt asaj europiane nuk mund të ishte “fetare” si e tillë, por natyrale e kombit, ndaj At Zefi, në veprën e tij monumentale “Rrno për me tregue” e ka shtjelluar faktin se të trija fetë në Shqipëri, dashurinë për Zotin e kanë përkthyer në një model të përkryer të dashurisë për kombin e për njeriun. Dëshmitë e tij për miqësitë me imamët e burgosur janë ndër faqet më te bukura të memuaristikës shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama

E gjithë publicistika e At Zefit është një epope e kërkimit të lirisë. Në tre vëllimet dëshmohet lufta e tij shpirtërore për lirinë jo vetëm si koncept vetjak por sidomos për njeriun si të tillë e mbi themelin e saj hyjnor e njerëzor.

Swiss Digital Mobile Reklama

Paqja nuk vjen me dhunë e as me hakmarrje por me drejtësi e falje – predikoi deri në fund të jetës tokësore Frati.

Ka shume “politikë”, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, në publicistikën e Fratit e nuk mund të ishte ndryshe. Kisha Katolike e ndalon përfshirjen direkte ne politikë të meshtarëve, por ai nuk mund të ishte indiferent me vokacionin e tij dhe me dramën e tij: ishte në burg për 28 vite me akuzë politike.

Politika kishte hyrë thellë në ndërgjegjën e tij herë si monstër dënuese, e pas rënies së komunizmit si mjet lirie e dinjiteti, kur ajo ka misionarët e duhur. Nuk hezitoi kurrë të kritikojë ashpër politikanët, e sidomos ish-komunistët e betuar që bënin be e rrufe për demokracinë. Për politikanët që e ruajnë si thesar në mbamendjen tonë politike e shpirtërore ka për të mbetur përherë si udhërrëfyes në ecjen tonë politike që hera herës është aq e vështire e plot mëdyshje.

Në fund një kujtesë për atë çka u dhuroi disa politikanëve e intelektualëve – Miqësinë e Tij. Miqësia në kontekstin kulturor shqiptar ka patur njëfarë ngjashmërie me të koncepturit antik të kësaj ndjenje: ajo ishte ndër afritë e dashamirësitë më të plota të dashurisë njerëzore dhe një shkollë virtyti. Janë të shumta rastet në trashëgiminë gojore dhe të shkruar mbi vlerën sipërore që kultura shqiptare i ka dhënë miqësisë. Madje më ngjan sikur në shqip tejshquhet barazvlefshmëria midis mikut si i tillë dhe atij që shkon si bujtës te shtëpia e dikujt e që emërtohet prapë me fjalën “mik”!
Frati mbetet një mik i ndërgjegjeve tona, udhërrëfyes e kritik i tyre.

Sa herë mendoj me kureshtje e admirim për atë Frat të jashtëzakonshëm, më duket sikur rrathët e ferrit kanë lënë shenja në palat e veladonit të tij. Qofshin ato dhimbje e sakrifica thesar i madh për një rilindje të plotë shpirtërore të shqiptarëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?