Energjia, Braçe: Berisha favorizoi kompani private për mbledhjen e borxheve të këqija

Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, akuzoi sot në Kuvend qeverinë paraardhëse se favorizoi kompani private në mbledhjen e borxheve të këqija, si pasojë e mospagesave të energjisë elektrike. Sipas tij, këto kompani merrnin 50 për qind të fitimit për këtë shërbim. “Operacioni i mbledhjes së të ardhurave që po kontestohet sot nga opozita, nuk është i pari në këto vite. Të paktën në vitet 2011, 2012 dhe 2013, nën administrimin e kompanisë CEZ, ka qenë Sali Berisha, kryeministër i vendit, ai që ndërtoi një rreth të tërë të mbledhjes së të ardhurave, përmes 4-5 kompanive private dhe jo përmes atyre shtetërore. Dhe nëse sot, çdo gjë derdhet në arkat e kompanisë shtetërore OSHEE, për ta shëndoshur atë, atëherë të ardhurat derdheshin në arkat e kompanive private të Sali Berishës”, u shpreh Braçe, në seancën e sotme të Kuvendit, ndërsa diskutohej marrëveshja për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike. “Kjo marrëveshje shkon në funksion të përmbushjes së angazhimeve tona për sistemin energjitik, të cilin e gjetëm në një situatë të nderë, pas një privatizimi klientelist dhe që nuk solli asnjë përmirësim në furnizimin me energji elektrike”, u shpreh Braçe.

Operacioni OSHEE-së për pagesat e prapambetura të energjisë përçon mesazhin e kthimit të kulturës së pagesës së saj, tha ai, megjithëse kreu i opozitës, Lulzim Basha, vazhdon të përçojë mesazhin për mospagimin e energjisë. “Ky është i njëjti mesazh që u përcoll nga PD gjatë viteve të shkuara për një kategori të caktuar njerëzish, i konsideruar si elektorati i tyre, por që mbeten ata debitorët e faturës së energjisë. Por, më vjen mirë të them sot se shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe debitorëve nuk po e dëgjojnë kryetarin e ri të PD-së, për të mos e paguar energjinë e konsumuar”, tha Braçe.

SHKARKO APP