Federica Mogherini: Presioni ndaj gazetarisë po shënon rritje
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka thënë se është në rritje presioni ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur. Bashkimi Europian, sipas saj, ripohon vendosmërinë për të mbrojtur lirinë e medias brenda kufijve të BE-së dhe në mbarë botën.
“Po shohim gjithnjë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për median e lirë, gjithashtu për të minuar në mënyrë sistematike kredibilitetin e mediave. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose e kanë rrezikuar jetën e tyre për të nxjerrë në pah të vërtetën”, ka thënë Mogherini, përmes një komunikate, për Ditën Ndërkombëtare të Shtypit të Lirë që shëhohet më 3 maj.
“Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë dhe të ndershëm dhe është detyra jonë të mbrojmë këtë hapësirë dhe të mos lejojmë askënd të përhapë dezinformata që nxisin urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, thuhet në deklaratë.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.
Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i publikuar më 18 prill nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.
KOHA JONË SONDAZH

