Fleckenstein takon familjarët e Aleks Nikës, xhaxhai: Na premtoi se do e ngrejë zërin në PE

Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein ka takuar sot familjarët e Aleks Nikës, një prej viktimave të “21 janarit”.

Mësohet se takimi me familjarët  e Aleks Nikës ka zgjatur për rreth një orë. Ndërkohë që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika tha se i kanë kërkuar raporterit Fleckenstein të bëhet drejtësi dhe të mos zvarritet procesi.

“Raporteri Fleckenstein na premtoi që do të ngrejë zërin në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës që këto institucione të ndikojnë tek qeveria që kjo çështje të ketë drejtësi”, ka treguar Mark Nika.

Xhaxhai i Aleks Nikës deklaroi se çështja po zvarritet ndaj dhe ata janë detyruar ti kërkojnë ndihmë Brukselit. “Kjo dosje ka 4 vjet që zvarritet nga drejtësia shqiptare ndaj dhe ne kërkuam ndërhyrjen e PE-së. Ekzekutivi i ruhet balancës së pushteteve”, tha Mark Nika.

Takimi mes eurodeputetit Fleckenstein dhe familjarëve të Aleks Nikës, u kërkua nga gruaja e të ndjerit, e cila i dërgoi një letër me të cilën kërkon hetim për ngjarjen ku mbeti i vrarë bashkëshorti i saj. Familjarët e Nikës kanë kërkuar vazhdimisht hetim të plotë për ngjarjen. Aleks Nika u vra më 21 janar 2011 në protestën para Kryeministrisë.

 

 

SHKARKO APP