Kontrabandë nga Greqia, 2 të arrestuar në Gjirokastër, sekuestrohen mijëra euro dhe cigare

Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se transportonin me autobus mallra të kontrabanduara nga Greqia. Të arrestuarit janë dy 43-vjeçarë nga Tirana, Olcian Lami dhe Markeljan Dida.

Operacioni policor, i koduar “Akciza 3”, u zhvillua në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër. Gjatë kontrollit të autobusit që drejtohej me radhë nga dy të dyshuarit, efektivët e Policisë kanë zbuluar mallra të fshehura në ambiente të mbyllura të mjetit.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 100 steka cigare dhe një shumë prej 22 695 eurosh. Paratë dhe cigaret dyshohet se nuk ishin deklaruar sipas procedurave përkatëse.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në bagazhin e autobusit u gjetën gjithashtu produkte të ndryshme ushqimore, mes tyre mish, produkte deti dhe bulmet. Po ashtu, janë sekuestruar kuti me medikamente, 13 thasë me veshje të markave të ndryshme dhe mallra të tjera që dyshohet se ishin sjellë kontrabandë nga Greqia.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe autobusi me të cilin transportoheshin mallrat dhe një aparat celular.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet u kryen pas informacioneve të siguruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër dhe në kuadër të kontrolleve kundër kontrabandës së mallrave.

Dy 43-vjeçarët akuzohen për disa vepra penale që lidhen me kontrabandën e mallrave, transportimin dhe tregtimin e tyre, mosdeklarimin e parave dhe sendeve me vlerë në kufi, si dhe fshehjen dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Ndërkohë, Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?