Gjiknuri në Librazhd: Infrastruktura, prioriteti ynë. Do të jem avokati juaj
Shumë shpejt banorët e tre fshatrave në njësinë administrative Polis në Librazhd do të marrin zgjidhje përfundimtare për furnizimin me ujë të pijshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut i shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë, Kastriot Gurra inspektoi nisjen e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe rrjetit shpërndarës, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm fshatrat Gajor 1, Gajor 2 dhe Polis-Gostimë. Gjiknuri shprehu mbështetjen e tij si drejtues politik për realizimin e këtyre investimeve, duke përfshirë edhe ndërtimin e rrugës.
“Ky ujësjellës është shumë i rëndësishëm. Falë dhe kërkesës së kryetarit të Bashkisë, punës së mirë të deputetit e të gjithë të tjerëve kjo është bërë e mundur dhe shumë shpejt, siç më tha edhe inxhinieri, për tre muaj ky ujësjellës do mbarojë duke zgjidhur edhe problemin e ujit. Edhe pjesa parë e rrugës është bërë. Natyrshëm që unë do ta kem në prioritetin tim, por mos harroni që është dhe një situatë e vështirë. Më vjen mirë që kjo punë e parë po mbaron. Ne na del barra tani bashkë me kryetarin e bashkisë të vazhdojmë dhe me punët e tjera. Por mbi të gjitha ta gëzoni sepse uji është gjëja më e rëndësishme që kemi dhe kjo ka qenë një kërkesë e hershme e këtyre fshatrave”, tha ai.
Drejtuesi politik i qarkut nënvizoi se qeveria po bën gjithçka për të qenë pranë banorëve këtë periudhë të vështirë të rritjes së çmimeve. Ai theksoi se masat e marra janë tregues i qasjes sociale që ka qeveria. “Duhet të kuptoni një gjë, vështirësitë janë të momentit. Qeveria po bën gjithçka, kjo është një qeveri me qasje sociale. Edhe këto ndihma, qoftë për energjinë, qoftë dhe lufta që bëhet edhe për të kontrolluar pjesën e karburantit është pikërisht që njerëzit të mos dëmtohen shumë. Por edhe këto investimet nuk janë pak. Megjithatë, bashkë me kryetarin e Bashkisë ne do bëjmë çmos që të kemi prioritet dhe pjesën e infrastrukturës. Shpresojmë që kjo krizë të mbarojë sa më shpejt. Na janë bllokuar investimet për shkak të krizës, megjithatë mua më keni përfaqësuesin tuaj, avokatin tuaj”, deklaroi Gjiknuri.
KOHA JONË SONDAZH

