Idrizi: Para greke në media, komplot shtetëror e tradhti kombëtare

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i bën thirrje presidentit Prokurorisë së Përgjithshme që të nis hetimet për shkrimet në media greke, që tregojnë se ministria e Jashtme greke kishte financuar mediat shqiptare dhe maqedonase me fond sekret.

“Sot jemi në një emergjencë kombëtare e akuza të rënda për tradhëti kombëtare. Në këto kushte i kërkojmë presidentit të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare të vërë në lëvizje të gjithë agjencitë ligjzbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marra para, sepse vetëm në një muaj janë dhënë mbi 1 milionë euro, por në shumë vite sa është kjo shumë. I kërkojmë urgjentisht prokurorisë së përgjithshme të hetojë portalet, gazetat , televizionet, biznesmenët, OJQ-të që janë financuar nga fondet e zeza sekrete, të ministrisë së Jashtme greke, të ministrisë së Mbrojtjes  dhe të shërbimeve sekrete greke. Ku janë investuar? Me  çfarë çmimesh? Cilët janë qëndrimet e mbajtura nga këto media? Cilët persona janë të implikuar personalisht në këtë operacion?”,- deklaroi Idrizi.

Deklarata për media e Shpëtim Idrizi:

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot skenari i blerjes së nje pjese të mediave dhe opinionistëve nga ana e shtetit grek po zbardhet nga vetë mediat greke.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ajo që ne lajmëruam disa muaj më parë po del para syve të shqiptarëve.

1 milion euro fonde të zeza vetëm për muajin e fundit, me të cilat shteti fqinj ka blerë media e portale shqiptare duke i paraqitur tezat progreke si mendime të paanshme.

Qëllimi i këtyre fondeve ishte të vazhdojë të dëmtojë moralisht çështjet tona kombëtare, të manipulojë marrëveshjen e detit, të varrosë çështjen Çame e të vazhdojë diskriminimin ndaj shqiptarëve të çamërisë.

Tani besoj se është e qartë që kemi thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën kur ju paralajmëruam për aktet e dënueshme, për blerjen e një pjese të mediave shqiptare, e ku disa individë gjoja të paanshëm vazhdonin të mbillnin urrejtje e armiqësi për shqiptarët e Çamërisë.

Ishim të qartë kur ju spjeguam se si në zgjedhjet e fundit ekzekutoheshin mandatet e PDIU-së, që në Parlamentin e Shqipërisë të mungonte faktori politik Çam, megjithatë u votuam nga 76 mijë Shqiptarë, me një qëllim të vetëm: “Çamëria mos të ekzistojë”.

Sot Athina I ka duart fort brenda në politikën shqiptare.

Kur kemi folur për idiotët e dobishëm të Athinës, e kishim  fjalën për ata të shitur që me pagesë apo pa pagesë janë bërë vasalë të Athinës dhe kanë frikë për pushtetin e tyre.

Sa e sa herë Athina zyrtare ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe na ka kërcënuar në rrugën tonë drejt BE-së, asnjë nga Qeveritarët tanë nuk flet e një pjesë e mediave hesht.

Sa e sa gazetarë e media kanë stigmatizuar me racizëm komunitetin Çam jo në Kohën e Komunizmit por sot.

Kur ne rrihemi, vidhemi, stigmatizohemi se kërkojmë të drejtën tonë, një pjesë e mediave tallet e i shërben me zell  relativizimit të Çështjes Çame.

Ne ngremë zërin  për marrëveshjen e toponimeve ku 700 pleq Çam detyrohen të ndërrojnë vendlindjet, prap heshtje …

Ne ngremë zerin për ligjin e minoriteteve ku Shqipëria u bë me 9 minoritete e zonat minoritare greke zgjerohen nga Finiqi e Dropulli, në Himarë e kudo prap heshtje.

Në ngremë zërin kur ndërtohen Varrezat e ushtarëve grekë për turpin tonë, e asnjë s’flet, se është humane thonë e shkruajnë.

Po një varrezë për mijëra Shqiptarë të Çamërisë nuk është Humane?

Kur ne ngremë zërin e alarmin për marveshjen e Detit dhe Greqia deklaron që do zgjerohemi nga 6-12 milje dhe Presidenti deklaron që pa bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të vazhdojmë me këtë marveshje, e prapë asnjë nuk flet, megjithë se indiciet për këtë marrëveshje janë alarmante.

Kur ne kërkojmë përkrahje për një nga tragjeditë dhe padrejtësitë më të mëdha që I është bërë Kombit Shqiptar, Çështjen e Genocidit të Shqiptarëve të Çamërisë, disa heshtin e stigmatizojnë.

Po është për turp o të shitur se jemi shqiptarë po si Ju!

Kur ne denonconim dje në Parlament e sot çdo ditë aktivitetet antikushtetuese  për Vorio Epirin ku  dalin deputetë  e funksionarë të lart grekë me flamurin e Zografit, asnjë nuk flet e asnjë nuk vepron.

Sot një pjesë e Politikës, ajo që tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht.

Një pjesë e mediave hesht dhe është e blerë.

Prandaj jemi në një emergjencë Kombëtare.

Në këto kushte:

I kërkojmë Presidentit të Republikës të  mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të vërë në lëvizje të gjitha agjensitë ligj zbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marë para, shumat e qëllimet sepse vetëm në një muaj bëhet fjalë për 1 milion euro.

Po me vite sa është kjo shumë?

I bëj sot thirrje Presidentit të Republikës të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e të kërkojë informacionet e nevojshme për të kuptuar sasinë e vërtetë të fondeve të zeza sekrete të dhëna nga Ministria e Jashtme greke, Ministria e Mbrojtjes  dhe Shërbimet Sekrete Greke dhe qëllimin dhe ndikimin real, që kanë patur këto fonde në manipulimin e opinioit publik dhe vendimarrjen e shtetarëve shqiptarë.

Ritheksoj që janë 1 milionë euro vetëm për një muaj, e asnjëherë nuk do kuptojmë sasinë e vërtetë të fondeve të paligjshme të derdhura në vend, nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare.

I kërkojmë urgjentisht Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë, cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të, që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të ministrisë së Jashtme Greke, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Inteligjent Grek.

Ku u investuan?

Me çfarë qëllimesh?

Cilat ishin qëndrimet e mbajtura prej këtyre mediave?

Cilët persona u implikuan personalisht në këtë operacion?

Çpo bën Prokuroria e Përgjithshme, kur dje Prokuroria e Athinës ka nisur Hetimet për nxjerrje të Sekretit Shteteror?

Çpo bën Kryeministri I Shqipërisë, kur dje Kryeministri Grek del të përgënjeshtrojë e të kërcënojë me nxjerrje të sekretit Shteteror?

Për sa kohë autoritetet e Tiranës dhe idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë do të heshtin për këtë skandal të përmasave Kombetare?

Me këtë rast e ftojmë Ministrin Bushati të vazhdojë të përshëndesë bashkpunimin e turpshëm me homologun Kotzias të investuar direkt me Fonde Sekrete në dëm të interesave Kombëtare të Shqipërisë.

Ne Shqiptarët e Çamërisë  falenderojmë  e u jemi mirënjohës mediave patriote shqiptare që kanë vënë alarmin.

Ne Shqiptarët e Çamërisë nuk harrojmë dhe miqtë dhe armiqtë tanë, e gjitha është Çështje Kohe.

Ju faleminderit!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?