Integrimi, Frattini-Meta: Pa unitet politik asnjë vend nuk mund të arrijë diçka
Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ish-ministrit italian Franco Frattini.
Gjatë një ceremonie të organizuar sot, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Frattinit për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, si edhe për mbështetjen për integrimin europian e euroatlantik të Shqipërisë.
Pas marrjes së Dekoratës së lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Franco Frattini mbajti një fjalë përshëndetëse, duke shprehur falënderimet e tij për vlerësimin e bërë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bindjen për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Z.President jam shumë i prekur për këtë dekorim kaq të lartë që ju më keni bërë, duke konfirmuar kështu miqësinë tonë personale, por gjithashtu dhe bashkëpunimin tonë të çmuar.
Z.President, unë kurrë nuk do ta harroj bashkëpunimin tonë që kemi pasur dikur në role të ndryshme por me një qëllim të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë një vend të përparuar në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së.
Jam thellësisht i nderuar dhe i lumtur që vij përsëri këtu në Tiranë si një qytetar i nderuar i këtij kryeqyteti të mrekullueshëm.
Jam shumë i lumtur që gjej këtu edhe një herë tjetër kaq shumë miq e kolegë të cilët u përkasin familjeve të ndryshme politike e të cilët kanë ecur së bashku përpara për të mirën e këtij vendi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Ajo që ne kemi bërë së bashku nuk ishte dhe nuk është për hir të Brukselit, por është për të mirën e qytetarëve tuaj. Sepse ideja që ne kemi pasur në mendje, dhe kurrë nuk do ta imagjinoja një perspektivë ndryshe, përveçse e ardhmja europiane për Shqipërinë.
Shqipëria ka vetëm në rrugë, për t’u bërë një vend anëtar i BE-së dhe unë jam i sigurt dhe shpresoj që në muajin qershor të vitit 2019 ju do të filloni negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Unë e shikoj me sytë e mi kur kthehem në Tiranë, shoh një progres të madh të bërë nga ky vend. Gjithashtu më kujtohet shumë mirë nga vizita ime e parë këtu, kur ju sapo ishit emëruar Ministër në vitin 2003. Unë nuk e njoh më qytetin që nga ajo kohë, duke krahasuar progresin e bërë gjatë gjithë këtyre viteve nga 2003 e deri më sot.
Jam i sigurt që anëtarësimi në NATO gjithashtu shënoi një gur themeli shumë të rëndësishëm dhe kjo u arrit edhe një herë tjetër për shkak të bashkëpunimit të gjithë vendimmarrësve të këtij vendi, pavarësisht përkatësive të tyre politike. Gjithashtu dua ta theksoj edhe një herë këtë gjë, sepse rezultatet ishin të mira për të gjithë popullin dhe unë fuqimisht besoj që ky unitet i përbashkët kombëtar do të vazhdojë të avancojë në vendin tuaj për arritje të mëtejshme. Sepse pa unitet politik asnjë vend nuk mund të arrijë diçka dhe kjo është eksperienca ime si italian, si europian dhe duke iu drejtuar juve miqësisht, kjo është një pikë kyçe.
Unë mendoj që vendi tuaj do të vazhdojë të luajë një rol kyç si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Jam shumë i lumtur që gjej sot ambasador në Tiranë bashkëpunëtorin tim më të ngushtë që kam pasur në Bruksel dhe që ka punuar në Departamentin tim të Drejtësisë. Ai është sot ambasadori që prezanton BE në Shqipëri. Kjo është mënyra e duhur, lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër të gjitha organizatave mafioze apo krimit të organizuar dhe sigurisht duke punuar së bashku për të ndihmuar stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm dhe duke iu drejtuar sinqerisht unë mendoj që nuk ka asnjë pengesë për të ecur përpara në progresin e këtij vendi. Unë do të vazhdoj të jem miku juaj, mik i vendit tuaj, do të përdor edhe pozicionin tim, do të jem avokati juaj në rrugën drejt anëtarësimit në BE e duke përhapur këtë mesazh në të gjitha konferencat. Pra, besoni te Shqipëria, besoni te shqiptarët dhe jam i bindur se do të arrini rezultate të mëtejshme.
Zoti President, u jam shumë mirënjohës për nderin që më keni bërë duke më akorduar dekoratën më lartë dhe ky është një nder i madh personal dhe është një ndjenjë e miqësisë dhe më bën akoma më të afërt me Shqipërinë”.
KOHA JONË SONDAZH

