“Jemi në demokraci, or burrë i dheut…”
Nga Duro Mustafai

Duro Mustafai
Një burrë rreth të 40-tave, i veshur shik, me kostum e kravatë moderne, qëndron i krekosur para meje. Ishte kërkesa e tij këmbëngulëse ti merrja një intervistë, për jetën e tij dhe kohën që jetojmë. Dhe, pa humbur kohë ja nisëm punës…
Pyetje: Më falni që po ju pyes që në fillim; si t’u drejtohem, me shoku apo zoti…?
Përgjigje: Me shoku? Jo, jo… Ky emër përfaqëson një nocion të kaluar. M’u drejto me zoti, ju lutem, sipas kohës. Tashti kam guximin edhe unë ta rendis veten midis zotërinjve, kam arsye për këtë. Jemi në demokraci, or burrë i dheut……
M’u prezantuat me emrin Prapanik Përparimi. A nuk mendoni se ata që e dëgjojnë edhe mund të çuditen, edhe mund të pyesin: si është e mundur të jeni edhe i prapambetur, edhe i përparuar ?
Keni të drejtë. Po unë po u përgjigjem të gjithëve: emri im është i dykohëshëm, përfaqëson edhe të shkuarën: ku çdo gjë ishte e keqe, e prapambetur, prapanike. Dhe të sotmen: ku çdo gjë është e përparuar, e lulëzuar. Ata që ma kanë vënë këtë emër, të nderuar qofshin, sikur e kanë parashikuar se do të vinte kjo ditë. Sidoqoftë edhe te emri im ka diçka për të ndryshuar, që t’i përgjigjet më mirë kohës…
Pse, keni ndërmend të ndryshoni përsëri emrin?
Pikërisht.
Atëherë, me çfarë emri t’u drejtohem?
Më quani thjesht: Përparim Përparimi. Tani, prapambetja s’ka vend në qënien time, po s’ka vend edhe në shoqërinë tonë…
Zoti Përparim Përparimi, a mund t’u bëj një pyetje disi intime?
Do t’u përgjigjem si ta kërkoni, dua të them, sipas kohës…
Një shoku juaj më ka thënë, që, para disa vjetësh ju keni qënë i varfër, që jetonit me borxhe, tani jeni milioner, si ta kuptojmë këtë?
Ta kuptoni si e kam kuptuar unë. Ai shoku im ju paska thënë të vërtetën, se tashti një takëm shokësh priren pas gënjeshtrave. Po përgjigja ime është e thjeshtë: Jemi në demokraci, or burri I dheut..
Po i korruptuar jeni ? Se thuhet që tek ne ka plasur korrupsioni..dhe se tani kontrollohet si e keni vënë pasurinë, me korrupsion, vjedhje, me tregti ”mielli”, apo me djersën e ballit..?
Ua thash: Unë veproj sipas kohës, or burrë i dheut.. Është një gjë me leverdi të njohësh kohën e të veprosh sipas kohës. Unë nuk jam dakord me ata që thonë se “është koha e maskarenjve”. Tashti është koha e guximtarëve. Dua të them, e atyre që bëjnë atë që s’e kanë bërë më parë. Ke dëgjuar ti se si ata, guximtarët edhe barishtet i kthejnë në flori ?
Po për floririn që e kthejnë në pallate, hotele, vila ?..Është fjala për” floririn e gjelbër”, që shqiptarët trima e mbjellin edhe në vazo lulesh.
Unë.. Po, po , unë kam dëgjuar se ai “floriri i gjelbertë”, ashtu si dikur në Lazarat tani dhe në fshatrat e tjerë, është shkulur e po shkulet përditë nga policia jonë që, ç’është e vërteta, bashkë me ekspertët e ajrit të Italisë, shikon çdo bimë nga qielli e u qepet edhe maleve për ta shkulur… Kjo është e vërtetë, po disa thonë. ( e kanë ndoshta nga frika), që “Edhe kur fletët e bimës treten, rrënjët mbeten”, thonë ata..Dhe këtë e kërkon koha.
Po juve zoti Përparim, me se merreni tani, konkretisht?
Unë? Me të gjitha…
Dhe, kush ua ka treguar këto rrugët “drejt të gjithave”?
Ua thashë, koha, por edhe gruaja.
Gruaja?!
Po, po. Ajo edhe në gjumë më pëshpërit: “I ke parë shokët e tu? Ata dhe pa punuar janë bërë milionerë”. Njeriu duhet të jetë edhe kështu, edhe ashtu…”- më thotë. Se kish lexuar një libër, ku një dijetar i mënçur ka shkruar: “Edhe ëngjëlli, edhe djalli, janë brenda te i gjalli”. Është i pari libër që ka lexuar gjatë gjithë jetës gruaja ime, prandaj nuk e harron. Por nuk harron të më thotë edhe “I bukuri im, djalli im”..“Bëjë si ata, milionerët…“, ”Se ke për të mbetur edhe “Njeri I Madh” nga ata që nderon me tituj nderi Presidenti ynë.
Po fetar, jeni? Se më bëri përshtypje që cituat edhe Kuranin, edhe Biblën…
Nuk i paskeni parë pushtetarët tanë? Ata mbajnë në zyrë të dyja, kuranin e biblën. Shkojnë edhe në kishë, edhe në xhami, pa ç’ka se nuk besojnë tek asnjëra, u flasin besimtarëve sikur ata të jenë vetë Krishti e Muhameti. Shembullin e tyre ndjek unë. Dhe, që ta dini, jam bërë anëtar i të gjitha shoqatave fetare në Shqipëri. Se ato kanë edhe para. Një njeri i kohës sonë duhet të gërmojë ku del paraja, or burrë i dheut.
Vite më pare, si kompesim, Qeveria jonë vendosi t’u japë ish- pronarëve toka në bregdet. Ç’mendon për këtë?
Është histori e vjetër ajo, që e vjetër do të mbetet.. Po unë kam një vërejtje fare të vogël. Nga ish- pronarët nuk duhet të përjashtohen pronarët e rinj të sojit tonë. Se ne e njohim mirë edhe bregdetin, po sidomos detin. Rrugët e detit ne i bëjmë shpesh me mallra të gjalla, që ju i quani edhe “klandestinë’, edhe“tregti e mishit të bardhë” dhe e “mallit të gjelbërtë” Kjo do të ishte në dobi edhe të pushtetarëve, or burrë i dheut…Po ç’edo, se kjo qeveria e sotme ka filluar të na i mbledh rripat, me kontrollin e gomoneve, me ca reforma të forta, gjer tek “pa na e trego, ku e vure pasurinë”?? Dhe fap, hekurat në duar e qelia para syve..
Më lejoni t’ju bëj një pyetje direkte: Sikur tu jepnin të gjitha të mirat që dëshironi, a do të pranonit të jetoni në vendin ku keni lindur, përgjithnjë, në fshat?
Në asnjë mënyrë. T’u qepemi kodrave e maleve? Kjo është punë moniste. E thashë një herë: t’i qepemi më mirë bregdetit e detit. Nuk është e vërtetë që deti ka rërë e kripë. E vërtetë është që deti ka dollarë… E kam provuar vetë këtë, or burrë i dheut…
Më falni, po si t’u konsiderojnë juve, a jeni pronar? Keni trashëguar diçka nga e kaluara?
A, jo, prona nga e kaluara nuk kam trashëguar, se gjyshi e gjyshja ime ishin të varfër, por pronar jam. Unë blej e shes, por ama edhe kur nuk blej, prap shes. Shes të tuat, të tjetrit, ua shes vendasve, po preferoj të huajt. Dhe në një farë mënyre jam edhe pronar i vjetër, edhe pronar i ri, or burrë i dheut…
Po me këto veprime sikur u kundërvihesh ligjeve?!
Jo, në asnjë mënyrë. Ligjet janë bërë enkas për ne. Por edhe njerëzit e ligjit janë njerëzit tanë. Pastaj ligji është besnik si qeni. Dhe qeni nuk e ha të zotin..
Qënkëni njeri, vërtetë i përparuar, siç e keni edhe emrin: Përparim. E gëzofshi!
Ta gëzojmë së bashku demokracinë, or burrë i dheut…
KOHA JONË SONDAZH

