Kandidati i PS-së për Kavajën: Ja çfarë do bëj ndryshe nga Elvis Rroshi
Kandidati potencial i Partisë Socialiste për drejtimin e Bashkisë së Kavajës, Klodian Shehi, deklaron për gazetën “TemA” se nëse do të zgjidhet në krye të këtij institucioni, do të vijonte punën pa u ndikuar nga kryebashkiaku i shkuar Elvis Rroshi.
“Unë do bëj atë që mund të bëjë Klodiani. Normalisht Elvis Rroshi ka punuar fort dhe ka bërë atë që nuk është bërë për 20 vite. Kushdo që vjen në qytetin tonë mund ta shohë fare mirë këtë gjë. Krahas dinamikës që më karakterizon dhe dëshirës për të bërë diçka për qytetin tim, unë besoj se do të punoj si Klodiani dhe jo si Elvisi”, deklaron kandidati Shehi.
Ai thotë për gazetën “TemA” se momentalisht ka një grup pune me të cilin është duke punuar një platformë për t’ja prezantuar qytetarëve.
“Unë jam i gatshëm që të hyj në këtë garë. Nuk jam vetëm pasi aktualisht kam një staf pune me të cilët 4 vite më parë morëm detyrën për të qenë pjesë e drejtimit të Bashkisë Kavajë. Platforma jonë normalisht është mbi bazë të programit të Partisë Socialiste,” shprehet Shehi.
Ndërkohë sa i përket bojkotimit të këtyre zgjedhjeve nga opozita, Shehi thotë se do t’i pëlqente që përballë të kishte një kandidat.
“Mua do të më pëlqente shumë gara. Dëshiroj të kem një përfaqësues të propozuar nga opozita ose një kandidat të pavarur. Megjithëse pjesmarrja apo mospjesëmarrja e opozitës në këto zgjedhje, duhet parë deri më datën 7 maj,” përfundon kandidati Klodian Shehi i propozuar nga Partia Socialiste. Më herët një prej 6 kandidateve Silvana Daja, në mënyrë të papritur dha dorëheqjen nga gara për postin e kryebashkiakes së qytetit për shkak të sulmeve që po bëheshin në adresë të bashkëshortit të saj, ish-kryetarit të PS-së për Kavajën Gentian Daja. Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar datën 7 Maj si ditën e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Kavajës. Kjo garë vjen pasi kryebashkiakut të zgjedhur Elvis Rroshi ju hoq mandati në kuadër të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin. Zgjedhjet e parakohshme në qytetin e Kavajës shihen edhe si testi i parë për zgjedhjet elektorale të 18 qershorit.
KOHA JONË SONDAZH

