Kërcënimi i Lulzim Bashës, Bregu: Terrorizëm politik

Deputetja e PD-së, njëherësh Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, Majlinda Bregu e ftuar në News 24, komentoi sot takimin që ajo pati me Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian z. Knut Fleckenstein.
Duke u ndalur tek raporti i PE-së, Bregu tha se aty do të përfshihen të gjitha shqetësimet që vendi e opozita ka. Ajo foli për një realitet problematik ,i cili nuk mund t’i mbahet i fshehur zotit Fleckenstein. Sipas Bregut, gjendja e krimit në vend vijon të jetë alarmante, duke marrë shkas edhe nga kërcënimet e fundit që i janë bërë kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Raportori ka mbërritur në një vizitë të programuar për fakte dhe informacione. Raporti për të cilin ai po mbledh fakte e prova ka të bëjë me situatën, gjendjen në Shqipëri, me plotësimin e detyrimeve, me plotësimin e standardeve. Atmosfera kur ka mbërritur raportori nuk është shumë e përshtatshme. Të flasësh për dekriminlizim kur kreu i opozitës kërcënohet nuk më duket se do bëhet realitet. Krimi i organizuar lëviz shumë shpejt, më shpejt se reagimi shtetëror. Problemi është që çështja duhet të zgjidhet. Këto probleme do përfshihen në raport”, tha Bregu.
Sipas saj, “ Këtu shkelen standardet brenda një grupi politik. Shqipëria ka nevojë për qëndrueshmëri politike, duhet të merren vendimmarrje bindëse”.
Ndërsa duke u ndalur tek kërcënimi i Bashës, Bregu tha se kjo e kthen Shqipërinë pas.
“Kërcënimi i liderit të opozitës e kthen Shqipërinë pas. Ky është një element i pastër i terrorizmit politik. Mos harroni që është kërcënuar zëdhënësja e PD muaj më parë, tashmë ka mbërritur tek kreu i opozitës”.