Komisioni për Reformën Zgjedhore nis konsultat, Fico: Të trajnohen komisionerët

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ka nisur mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, ku po mbahet një seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe shoqatat që operojnë në fushat zgjedhore.

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi ka shprehur se janë bërë diskutime me BE, OSBE, KE dhe Komisionin e Venecias për asistencë në reformën zgjedhore.

“Ligji është i pamjaftueshëm për të përballur vullnetin ose mungesën e vullnetit politik. Për rrjedhojë jemi në këtë fazë të re të reformës zgjedhore, jam i sigurt se kontributi juaj do të jetë përsëri shumë i rëndësishëm dhe thelbësor në arritjen e zgjidhjeve konsensuale”- tha deputeti i PD-së.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e ekspertëve ndërkombëtarë të Misionit të ODIHR-it shprehen të gatshëm për të sjellë ekspertë për çështjen e financimit të fushatave të partive politike në vend, të cilët do të mund të japin dhe propozime konkrete për amendimet e nevojshme të Kodit Zgjedhor.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë kuadër, përfaqësuesit e ODIHR-it në vendin tonë shprehen se asistenca e tyre mund të jetë verbale ose me shkrim.

“Ekspertiza jonë mund të jetë verbale ose me shkrim sidomos sa i përket rishikimeve të kuadrit ligjor, mund të jepen në mënyrë formale ose jo. Sikurse mund të ndihmojmë me ndarje praktikash nga vende të tjera në fushat përkatëse. Mund të ndaj me ju dy raste suksesi të ODIHR, Komisioni i Malit të Zi na kërkoi ekspertizë në rishikimin e katër akteve ligjore që ne e ofruam në mënyrë informale dhe më pas u miratuan. Po ashtu në Bosnje Hercegovinë, ku ekspertët tanë u ulën bashkë me KQZ atje për të rishikuar rregulloren e brendshme të KQZ. Jemi të gatshëm dhe të angazhuar për të marrë pjesë në këtë moment pune të reformës, në një proces autor i të cilit jeni ju, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent” – u shpreh eksperti për zgjedhjet pranë ODIHR-it.

Ndërsa, Evis Fico, përfaqësuese e Akademisë së Studimeve Politike është shprehur se komisionerët zgjedhorë duhet të trajnohen për të qenë të pavarur politikisht.

“Duhet të ngrihet një qendër pranë KQZ për trajnimin e komisionerëve. Komisionerwt jo zyrtarisht mund të jenë nga partitë politike”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, deputetja socialiste Vasilika Hysi u shpreh se propozimi i Ficos është i paqartë që komisionerët duhet të jenë propozime të partive politike, apo persona që janë permanent dhe menaxhohen nga KQZ.

“Për ankesat e votuesve çfarë propozoni?”- iu drejtua Hysi përfaqësueses së ASP-së.

“Për trajnimin e komisionerëve mendojmë që këta komisionerë të jenë të pavarur nga partitë politike dhe të kenë një listë përkatëse në KQZ. Të jenë të trajnuar dhe certifikuar dhe me integritet në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve. Jo domosdoshmërisht këta komisionerë të zgjidhen nga partitë politike, kuptohet ata do të kenë komisionerët dhe anëtarët e tyre. Ajo që na intereson ne si Akademi e Studimeve Politike është trajnimi i tyre. Sa i përket përcaktimit më të qartë të institucioneve që duhet të ndjekin ankesat, ne mendojmë që duhet të jenë institucione të pavarura nga partitë politike për të trajtuar ankesat për procesin zgjedhor”- u përgjigj Evis Fico.

Lidhur me këtë propozim, deputeti demokrat i Komisionit, Enkelejd Alibeaj ka pyetur nëse ka ndonjë formulë që komisionerët të ngelen të pavarur nga ngasjet politike.

“Për trajnimin e komisionerëve keni bërë ndonjë studim? Së dyti, keni ndonjë formulë që mund të garantojnë pavarësinë politike të komisionerëve?”- pyeti Alibeaj.

Në përgjigjen e saj për këtë shqetësim, Evis Fico theksoi që komisionerët duhet të jenë të pavarur, por jo domosdoshëmrisht absolutisht të pavarur.

“Për studimin, nuk kemi bërë asnjë studim për komisionerët sa të pavarur janë. Nuk ka ende një formulë që mund të zgjidhë pavarësinë e komisionerëve, nëse doni formula na përfshini dhe bashkëpunojmë për këtë formulë”- theksoi ajo.

Edhe për Erjona Nurellari, pjesë e Koalicionit për Zgjedhje të Qëndrueshme ka shprehur shqetësim për politizimin e organeve të administrimit zgjedhor.

“Pas zgjedhjeve kemi prodhuar një raport me një nga shqetesimet kryesore që kanë dalë nga monitorimi i zgjedhjeve, paanshmëria dhe politizimi i organeve të administrimit zgjedhor. Ka pasur shkelje procedurash të vazhdueshme nga komisionarët”- u shpreh Nurellari.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi e pyeti atë se cili do të ishte propozimi konkret për të pasur zgjedhje të menaxhuara nga trupa jo partiake.

“Do rrimë tek kjo formulë apo propozoni një zgjidhje tjetër?”- pyeti Hysi.

Në përgjigje të kësaj, Erjona Nurellari u shpreh se duhet garantuar profesionalizimi i tyre përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe duhet penguar zëvendësimi i tyre në momente kur trajnimi është i pamundur.

/Herion Mesi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?