“Konsensusi është shumë i thjeshtë. Zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme”
E pyetur nga gazetarët për mundësinë e arritjes së konsensusit, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi gjatë protestës së sotme, se konsensusi është shumë i thjeshtë, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.
Kryetarja e LSI-së tha se kryeministri Rama është regjisori dhe skenaristi i të gjithë procesit makabër të vjedhjes së zgjedhjeve të vitit 2017. Ajo tha se Reforma Zgjedhore mund të arrihet të jetë shumë e mirë në letër, por me rëndësi madhore është garantimi i ndalimit përfundimtar të shit-blerjes së votave në Shqipëri. “Konsensusi është shumë i thjeshtë. Zgjedhje të parakohshme, ku të jenë të lira dhe të ndershme. Nuk ka më asgjë tjetër. E rëndësishme është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është regjisori, skenaristi dhe aktori kryesor i të gjithë procesit makabër të zgjedhjeve të 2017. Këtë nuk e kemi vërtetuar ne. Këtë e ka vërtetuar prokuroria shqiptare. Këtë e kanë vërtetuar mediat e huaja, dosja 339, dosja 184 që ka gjëra akoma edhe më të rënda. Ajo që e vret më shumë Edi Ramën dhe e largon nga e vërteta, por rri dhe merret me barcaleta është sepse në ato përgjimet e dosjes 184, Edi Rama ka treguar dhe ka demaskuar skemën e votave në këmbim të parcelave të hashashit. Atë që përdori në 2017. Reforma zgjedhore është një proces që për hir të së vërtetës, nëse nuk garantohet ndalimi përfundimisht i shit-blerjes së votës dhe përdorimit të bandave kriminale, ju mund të bëni Reformë Zgjedhore dhe ne mund të bëjmë reforma zgjedhore të gdhendura në shkëmbinj. Por nëse nuk ndalohet ky proces, i cili deformon dhe shkatërron të gjithë procesin zgjedhor, atëherë ajo është e kotë. Teori dhe deklarata mbi demokracinë në Shqipëri kemi dëgjuar pafundësisht. Por për hir të së vërtetës kanë zbatuar vetëm të kundërtën e asaj që kanë thënë. Dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi pas 30 vitesh tranzicion. Pas 30 vitesh shikoni këta qindra e mijëra të rinj që duan të largohen nga Shqipëria, sepse nuk kanë asnjë të ardhme këtu. Reforma të shkruara në letra dhe që nuk zbatohen. Kemi votuar Reformën në Drejtësi. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Është e shkruar e zeza në të bardhë. Më thoni kush nga pikat e reformës në drejtësi është zbatuar sipas asaj që është votuar. Pra hipokrizi dhe demagogji më shqiptarët. Ne nuk jemi budallenj, nuk jemi as të pashkollë, nuk kemi atë mundësi apo shans që të kenë të gjithë qytetarët e tjerë europianë të vendeve të BE-së, por unë di të them që shqiptarët janë të zotët që të marrin fatet e tyre në dorë. Unë di të them që në shtëpinë time nuk vjen të bëhet dot zot komshiu”, tha Kryemadhi.
KOHA JONË SONDAZH

