Kryebashkiaku Veliaj pret kryetarin e ri të Prizrenit: Të rinovojmë besëlidhjen mes shqiptarëve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ranë dakord që, bashkë me njësitë e tjera shqipfolëse në trevat shqiptare, të takohen për të diskutuar mbi jetëzimin e projekteve të përbashkëta.
Ne takimin mes tyre, kryebashkiaku Veliaj tha se festimi i “Lidhjes së Prizrenit” do të jetë edhe një rinovim i besëlidhjes mes shqiptarëve për të bashkëpunuar.
“Sot kemi dakordësuar që të kemi një festim ndryshe të “Lidhjes së Prizrenit” këtë vit; do të jetë jo në nivel të autoriteteve qendrore, por në nivel të autoriteteve vendore. Të dy do u bëjmë një ftesë komunave e bashkive shqipfolëse në rajon, që të kemi një “Lidhje të Prizrenit” ndryshe dhe të rinovojmë atë besëlidhje mes shqiptarëve, ku na duhet më shumë bashkëpunim, më shumë vëllazëri e më shumë mirëkuptim me njeri-tjetrin”, tha Veliaj.
Kryetari i ri i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh se Tirana është shembulli konkret sesi qyteti zhvillohet me një dinamikë të jashtëzakonshme. “Jo rastësisht viziten e pare zyrtare jashtë Kosovës e beme këtu në Tiranë. Ka pasur një qëllim dhe jep një mesazh, natyrisht që mësojmë shumë gjëra të reja, shumë gjëra të mira, sepse është një qytet i cili është në zhvillim e sipër dhe ne natyrisht kemi nevojë që të marrim jo vetëm ide, por edhe të shohim një shembull konkret sesi zhvillohet qyteti me një temp dhe dinamikë të jashtëzakonshme, e kjo falë punës dhe përkushtimit të kryetarit dhe të ekipit të tij”, deklaroi Totaj.
KOHA JONË SONDAZH

