Kryemadhi: Edi Rama ka rënë politikisht e moralisht

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, deklaron se kryeministri Edi Rama deformoi votën e 25 qershorit, duke përdorur para vote për blerjen e saj. Në një intervistë për Syri.net, Kryemadhi thotë se Rama ka rënë politikisht dhe moralisht. Ajo shtoi se kryeministri është një vegël sot që përdoret nga krimi dhe kriminelët.

Intervistoi: Alen Xhelili

Në fillim të mandatit të parë qeverisës Znj. Kryemadhi, demokratët pretenduan se qeveria në atë kohë po ushtronte dhunë, ndërsa Rama iu përgjigj që s’keni parë gjë akoma. Jua kthyet përgjigjen me katër vjet vonesë Kryeministrit duke i thënë se ai s’ka parë asgjë akoma. Konkretisht për çfarë e kishit fjalën?

Swiss Digital Desktop Reklama

Unë mendoj që Rama pas rezultatit të 25 Qershorit, ku deformoi totalisht votën e shqiptarëve, mendoj që e gjithë kusia, kazani, tepsia, timoni të gjitha i kishte vetë në dorë. Mendoj që do mund të bënte çfarë të donte dhe faktikisht drejt asaj rruge ishte. Ishte një strategji që e ndërtoi prej kohësh. Mendoi që të administronte totalisht një gjë të tillë. Në fakt ka ndodhur e kundërta, pavarsisht që ai mendon se është i forte, ai sot nuk është kryeministër i Shqipërisë. Është i rënë politikisht, moralisht por qëndron vetëm për shkak të institucioneve, por institucionet shtetërore institucione të cilat janë të paralizuara. Në mënyrë të tillë i bën të pamundur veprimtarinë e një shteti funksional dhe demokratik dhe kjo vjen për shkak të këtij sistemi që ai ka ndërtuar, duke menduar që do të kontrollonte çdo gjë. Faktikisht Rama nuk kontrollon asgjë, por Rama kontrollohet nga krimi i organizuar. Unë e kam thënë dhe e ripërsëris që është telekomanda, një instrument në dorën e krimit të organizuar, i cili përdor institucionet shqiptare për të arritur qëllimin e tyre. Dhe faktikisht, ajo që dua të them që ai nuk ka parë gjë akoma , është e vërtet që nuk ka parë gjë akoma, sepse për herë të parë në historinë e pluralizmit demokratik në Shqipëri, vetëm po të themi me zgjedhjet e ’96, do të kemi një situatë të tillë që shumë shpejt ndodhi,  por pas zgjedhjeve të ’96 ndodhën ngjarjet e ’97 të cilët sollën një situatë jo normale dhe shumë të dhimbshme për shqiptarët. Kemi po përsëri një situatë politike tashmë që menjëherë pas 6 javëve të sesionit të ri parlamentar dhe të legjislaturës së re parlamentare ne shikojmë që kemi një qeveri të destabilizuar, një parlament të destabilizuar, të izoluar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ju po lajmëroni më këtë që qeveria është një të njëjtën situatë siç ishte para vitit të mbrapsht ‘97

Absolutisht në atë situatë është, vetëm gjërat mund të jenë në ngjyra të ndryshme, pra mund të jetë një realitet i njëjtë për atë çka ndodh përsa i përket varfërisë së shqiptarëve. Në qoftë se në ’96-’97 shqiptarët humbën kursimet e tyre, tashmë po humbasin  shpresën, sepse kursime skanë më. Sepse gjatë gjithë kësaj kohë varfëria është instaluar dhe po rikthehet në një institucion zyrtar në Shqipëri, por tashmë në qoftë se në ’97 shqiptarët humbën kursimet, këtu shqiptarët po humbasin shpresën.

Shpresën e ngjall opozita Znj. Kryemadhi..

Sigurisht që edhe opozita do ta bëjë këtë gjë por mos harrojmë që është një opozitë e cila vjen menjëherë mbas një tronditje shumë të madhe siç ndodhi me zgjedhjet e 25 qershorit. Është një opozitë e cila është shpirtërisht e përgatitur për ta bërë opozitën, por nga ana organizative do t’i duhet kohë. Mos harrojmë që nuk ka bërë vaki asnjëherë që në 6 javët e para të qeverisjes së re të kemi një situatë të tillë.

Nuk jeni bërë pishman që e keni refuzuar koalicionin me PS-në?

Unë personalisht jo, madje jam e lumtur, sepse kjo i jep dinjitet dhe integritet Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse sot, mos u çudit, për shkak të një koalicioni dhe një fjale të dhënë, LSI mund të ishte edhe në llogore duke mbrojtur Edi Ramën, i cili është shkaktari i gjithë kësaj situate të mbrapsht që është krijuar në Shqipëri. Ajo çka dua të them, nuk është problemi këtu për të ruajtur apo për të mbrojtur figurën e LSI-së. Problemi është që qoftë LSI, qoftë PD, qoftë të gjitha forcat e tjera opozitare të cilat janë pjesë e Frontit kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri, kundër qeverisë së NarkoShtetit, mendoj që është mision kombëtar për të përmbysur këtë realitet të dhimbshëm, të cilët shqiptarët me këtë qeveri tashmë u ka ngelur të kenë mik tersin dhe varfërinë, dhe të kenë armik zhvillimin, prosperitetin dhe begatinë. Është domosdoshmëri largimi i së keqes nga ky vend. Është shumë e domosdoshme, duke patur parasysh që ne sot nuk u ofrojmë asgjë shqiptarëve.

Jeni e bindur që do ketë një reagim të tillë nga shqiptarët?

Absolutisht. Ndihem unë e neveritur nga mënyra se si jemi qeverisur dhe pse kam qenë vetë pjesë e qeverisjes. Ndjej diferencën që nuk jam e barabartë qoftë me një deputet koleg  timin, qoftë i Maqedonisë apo i Kosovës, por kur nuk jemi ne deputetët të barabartë, si mund të jenë të barabartë qytetarët. Me atë liberalizim vizash që ne e fituam me shumë mundim para shumë vitesh, ne sot jemi më shumë nën lupën e ndërkombëtarëve nëse do të na i rikthejnë sërish vizat apo jo. Studentët rendin për të marrë një vizë, ku i duhen edhe muaj për braktisjen e shkollës së   tyre. Mënyra e diskriminimit apo procedurat që janë shtuar për limituar dhënien e vizave, e ka bërë shumë të lodhshme këtë realitet. Shpresoj që të vij një moment që gjërat të mos jenë më kështu. Jemi pak vonë, ne shqiptarët i kemi bërë gjithmonë gjërat me vonesë.

Thatë që z.Basha është natyrë tjetër nga ju sepse është shkolluar në Holandë. Çka do të thotë kjo, duke dalë tek qasja politike?

Unë kam thënë që z.Basha ka një mënyrë sjelljeje ndryshme, është më i qetë dhe tolerant në bashkëbisedime me Ramën. Kjo, ndoshta vjen edhe për shkak të mosnjohjes së Ramës, por ajo që dua të them unë midis Berishës dhe Bashës për të bërit opozitë, sigurisht që Berisha është opozitar i lindur. Nuk mund t’i krahasosh, janë dy gjëra komplet të ndryshme. Kështu që, të dy krijojnë frymëzim, por në këndvështrime të ndryshme. Unë shpresoj shumë tek z.Basha për shkak të moshës së tij të re. Shpresoj dhe tek çështja  që ai ka dëshirë se ky vend do të bëhet një ditë.

E bindni ju dot z. Basha të vijë në rrugë me ne?

Sigurisht. Dhe ai është gati të dalë në rrugë por problemi është se në momentin kur del në rrugë nuk ka më kthim prapa. Dhe shqiptarët që të vijnë në rrugë duan të dëgjojnë një alternativë. Alternativa që do tu ofrojmë shqiptarëve nuk mund të jetë të zëvendësojmë një Edi Ramë me një Edi Ramë tjetër. Alternativa që duhet tu ofrojmë shqiptarëve është që tu ofrojmë një të ardhme. Boll me drekat, darkat, boll më marrëveshjet e natës. Tashmë çdo marrëveshje duhet të jetë institucionale, duhet të jetë transparente, duhet të jetë transparente për publikun, transparente për partitë, transparente për jetën politike, sepse në kaq vite tranzicion kemi qenë gjithmonë viktima të marrëveshjeve të fshehta, të cilat gjithmonë ata që e kanë bërë, e kanë pësuar të parët, por më shumë nga të gjithë e ka pësuar populli. Sepse në fund të fundit, nuk ka faj populli për gabimet e politikës. Gabimet politike nuk kanë përse të lënë me periudha të tërë shqiptarët jo vetëm të varfër, por edhe të shpërbërë kombëtarisht, edhe të shpërbërë edhe nga ana ekonomike, familjare etj. Kështu që them që kjo gjë do të vijë hap pas hapi. Sigurisht që njerëzit akoma nuk janë të bindur për atë çka ka ndodhur, akoma janë të trullosur. Më shumë janë të trullosur socialistët vetë për atë çka u ka ndodhur, sepse faktikisht po të shohim pushteti nuk po ndahet mes socialistëve, por po ndahet mes bandave, po ndahet midis grupeve mafioze, midis klaneve, midis të pasurve të Shqipërisë. Dhe buxheti I 2018-ës është fakt se si ndodh që të pasurit pasurohen, pra 1% e shqiptarëve pasurohen nga ulja e taksave që ndodh vetëm për ta, dhe 99% e shqiptarëve varfërohen nga rritja e taksave që ndodh vetëm për ta. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo. Amerika i ka ulur taksat, i ka bërë sa Shqipëria 20% për korportatat shumëkombëshe që të kthehen në Amerikë. Ne ato dy-tre kompani të mëdha biznesi që kemi, që i përmend Z.Rama me shumë qejf në televizione ato po ngrihen dhe po transferohen nga Shqipëria në Maqedoni.  Pse? Sepse qenka klima e biznesit më e mirë në Maqedoni, sepse shteti nuk e ka armik biznesin, por e ka partner, ndërsa në Shqipëri bizneset i kemi armiq. Po ishe me mua, je me mua, nuk paguan as taksa, asnjë gjë. Po nuk ishe me mua, je armiku im. Falimentoje, gjobite, kontrolloje, bëji nga gjërat më të ndryshmet. Pse? Sepse kështu i do qejfi Edi Ramës apo ushtarëve të Edi Ramës. Nuk mund të ndërtosh ti një vend në mes të Europës me taksidarë që u marrin frymën shqiptarëve dhe hallexhinjëve.

INTERVISTA E PLOTE VIDEO

https://www.facebook.com/portali.syri.net/videos/1657444404336842/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?