Kur ndërhyn SHBA, punët zgjidhen! Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën ne ndërmjetësimin e BE-së marrëveshje për targat. Presidentja Osmani i atribuoi SHBA-së një meritë të veҫantë për këtë marrëveshje.
“Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, kurse Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emra të qyteteve të Kosovës” – njoftoi përmes Twitter-it kryediplomati evropian vetëm një orë para së të skadonte afati kur qeveria e Kosovës do të niste me shqiptimin e gjobave për shoferët serbë me targa ilegale.
Tani për tani akoma nuk dihen detaje të tjera të marrëveshjes, por sipas kryediplomatit evropian, “Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për përqëndrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Brüssel Josep Borrell trifft sich mit Serbiens Präsident Aleksandar Vucic und dem Premierminister der Republik Kosovo Albin
Dy kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë zhvilluan gjatë gjithë ditës së merkurë biseda në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Dy ditë më parë kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiq patën takim po në Bruksel me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel, takim ky që rezultoi pa marrëveshje dhe përfundoi me tensione, ku Borrel akuzoi Kurtin, që i tha jo një propozimi të BE-së për targat.
Ndërkohë, zëvëndëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, që negocioi marrëveshjen për targat shkroi se “pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve.”
Osmani falenderon SHBA-në
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti shtyu për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS. Në reagimin e parë pas marrëveshjes për targat, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, një meritë të veҫantë për këtë marrëveshje ua dha Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Dua të falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova u është mirënjohëse”, shkroi Osmani në Twitter./DW/
Reagon SHBA sipas VOA:
Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.
Në deklaratë mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.
Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.
Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës, që kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja në zonë.
Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t’u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara./VOA/
KOHA JONË SONDAZH

