Kushtetuesja në kolaps, Sadushi: Vettingu të nisë nga KED
Paralizimin e Gjykatës Kushtetuese në kushtet kur mungojnë gjyqtarët e pranon në një intervistë të posaçme për Ora News edhe ish-anëtari i kësaj gjykate konstitucionalisti Sokol Sadushi, aktualisht drejtor i shkollës së Magjistraturës.
Sokol Sadushi: Është krijuar një ngërç për shkak të mungesës së katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sepse sipas ligjit gjykata duhet të funksionojë të paktën për të filluar seancat me 6 gjyqtarë dhe vendimarrjet i merr me 5. Aktualisht ajo ka 5 gjyqtarë, kështu që ka ngërç.
Çelësin e zgjidhjes së ngërçit sipas Sadushit e mban Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por më parë duhet që anëtarët e KED të kalojnë vettingun.
Sokol Sadushi: Nëse do ti referohemi Kushtetutës, duhet patjetër që Këshilli i Emerimeve në Drejtësi, organi i shortuar në fillim të vitit, duhet patjetër që të kalojë vettingun me qëllim që ky organ të ketë mundësi të bëjë vlerësimin e kritereve dhe rankimin e kandidatëve që janë të mundshëm për të qenë nesër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Përsa kohë që ky organ ende nuk ka kaluar vettingun ky ngërç duket se do të vazhdojë. Si rregull duhet të nisë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky është formulimi kushtetues. Pas KED, duke iu referuar ligjit për vettingun është Gjykata Kushtetuese organi i parë, është Gjykata e Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.
Ky qëndrim i konstitucionalistit Sadushi është i ndryshëm nga ai i politikanëve të maxhorancës dhe opozitës, të cilët kanë sugjeruar si zgjidhje të shpejtë emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses dhe më pas të kalojnë filtrin e vettingut.
Sokol Sadushi: Përsa kohë kemi të bëjmë me një organ të ri nuk mund të mendojmë që ky organ i ri të bëjë një rankim, të ushtrojë veprimtarinë përsa kohë nuk e ka kaluar vetë vettingun. Nëse do të ndodhte që të zgjidheshin nga KED kandidatët për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese unë mendoj se do të ishte një ngërç tjetër.
Për sa i takon ecurisë së procesit të vettingut, Sadushi paralajmëron vendimarrje të shumta në muajin prill dhe këmbëngul te cilësia.
Sokol Sadushi: Procesi i vettingut po ecën mirë, një proces që është ndryshe nga të gjithë herët e tjera, nuk kërkon shpejtësi, nuk kërkon nxitim dhe për rrjedhojë ky do të kërkojë dhe kohën e vet për të qenë vendime të pa cënueshme lehtësisht nga kushdo. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se procesi i vettingut ka filluar dhe besoj se muaji prill do të ketë vendime më të shumta nga çfarë kishte muaji mars.
KOHA JONË SONDAZH

