Lindita Nikolla: Rrëzuam mitet e sistemit të kalbur të Drejtësisë. Sot askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, e cila po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Në Konferencë marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues të Inspektorateve të Drejtësisë të vendeve të disa vendeve të BE-së: Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë dhe Spanjës.
Janë gjithashtu të pranishëm Zëvendësambasadori i SHBA, Demian Smith, i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së, Alexis Hupin, dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Tiranë.
Temat kryesore të Konferencës janë pavarësia së magjistratëve dhe respektimin e interesit të publikut për punën e drejtësisë.
Pasi falënderoi organizatorët për zhvillimin e kësaj Konference, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se “Interesi i publikut dhe pavarësia e magjistratëve janë dy çështje thelbësore të reformës në drejtësi dhe vetë sistemit të drejtësisë.
“Arsyeja themelore e reformës në drejtësi ishte se sistemi i drejtësisë nuk i shërbente interesit publik dhe qytetarëve, por një klase të korruptuar. Prandaj reforma pati që në fillim, dhe vazhdon të ketë, mbështetjen masive të qytetarëve e partnerëve ndërkombëtarë. Sot kemi një realitet tjetër. Tipari më i rëndësishëm i këtij realiteti është rrëzimi i disa miteve të sistemit dhe për sistemin e kalbur të drejtësisë dhe progresi drejt një sistemi drejtësie, si një pushtet i pavarur në sistemin demokratik”, tha Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit përmendi disa dukuri, të cilat i vlerësoi si “mite të sistemit dhe për sistemin e kalbur të drejtësisë, si mbretërimi i pandëshkueshmërisë, si një antikulturë e sistemit të drejtësisë dhe sistemit politik; perceptimi se sistemi i drejtësisë është një fortesë ku nuk hyn dot zëri i publikut dhe qytetarëve dhe perceptimi tjetër se sistemi nuk mund të vetëreformohet.
Këto mite, vuri në dukje Kryetarja Nikolla, po rrëzohen dhe në këtë aspekt ka meritën e vet edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, njeri prej organeve të reja dhe më të rëndësishme të qeverisjes së sistemit. ILD po justifikon pritshmëritë publike, politike dhe kombëtare, duke kontribuar për një sistem drejtësie të pastër, që jep drejtësi dhe nuk shet e as blen drejtësi.”
Gjithashtu, Nikolla nënvizoi se Kuvendi dhe ajo personalisht, kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesim pavarësinë e sistemit dhe fuqizimin e organeve të drejtësisë,në mënyrë të veçantë Inspektoratin e Lartë tëDrejtësisë, me burimet e nevojshme financiare, njerëzore e logjistike.
KOHA JONË SONDAZH

