“Lobimi i PD në SHBA”, PS mbledh grupin parlamentar, Balla: Kanë dalë prova të reja
Partia Socialiste ka mbledhur sot Grupin e saj parlamentar. Mbledhja është drejtuar nga kryetari i Grupit, Taulant Balla, i cili e ka nisur mbledhjen duke njoftuar se PS ka kërkuar hetime për kontratat e lobimit të PD pasi, sipas tij, kanë dalë detaje mjaft të rënda.
Balla ka lexuar para grupit të gjitha dyshimet e ngritura lidhur me kontratat e lobimit të PD në SHBA, teksa theksoi se janë një sërë shkrimesh të mediave amerikane, që siç tha ai, kanë publikuar prova të reja rreth kësaj çështjeje. “Mos e dhëntë Zoti të jenë të gjitha të vërteta”- shtoi Balla.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulan Balla ka zbardhur të gjithë skemën sesi Basha ka arritur të bëjë një foto me Presidentitn Donald Trump, në kohën e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.
“Një javë e gjysmë para zgjedhjeve të 25 qershorit, Basha e ndërpreu fushatën dhe shkoi në SHBA ku lobuesi Nik Muzin e futi Bashën në një takim për mbledhje fondesh të kandidatit për guvernator në Mill Ëoki, takim në të cilin merrte pjesë edhe Presidenti Trump, në këtë takim ku përmes një pagese kontribuese prej 20 mijë dollarësh mund të fitohej një vend VIP dhe një foto me presidentin Trump. Dhe Basha arriti ta kishte këtë foto me presidentin Trump përmes kësaj skeme”- u shpreh Balla.
Pjesë nga deklarata e kryetarit të grupit parlamentar socialist
“PD është përfshirë në një skemë financimi të dyshimtë, jo transparente, ku përfshin dhe biznesmenë me rezidentë rusë. Ne kemi kërkuar shpjegim nga Basha dhe PD për këtë çështje, si dhe i kemi kërkuar Prokurorisë fillimin e një hetimi të plotë dhe të pavarur mbi dyshimin për disa vepra penale.
Më 18 shkurt 2017 PD bojkotoi Kuvendin, me qëllim bllokimin e Reformës në Drejtësi. Ka shumë dyshime dhe si u financua protesta 3-mujore e opozitës kundër Reformës në Drejtësi dhe përpjekja për të futur vendin në një krizë të thellë përmes bojkotimit të zgjedhjeve.
Në pranverë të vitit të kaluar, Basha dhe PD lidhën dy kontrata me lobistin amerikan, Nik Muzin, në Uashington. Pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nga PD, në fund të marsit. Në total shkon 675 mijë dollarë. Kontrata me kompaninë Biniatta Trade u mbajt e fshehtë. Pagesat e PD me Muzin nuk përfshihen fare në raportin e shpenzimeve që PD ka depozituar në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit, edhe pse është një detyrim ligjor.
Një javë para zgjedhjeve Basha ndërpreu fushatën dhe iku në SHBA për lobim, ku lobuesi Muzin e futi Bashën në një takim, ku merrte pjesë edhe Presidenti Donald Trump, ku kreu demokrat arriti të kishte një fotografi me Trump. Lobistët amerikanë që punojnë për partitë e huaja duhet të identifikojnë klientët e tyre dhe të përshkruajnë punën që kanë bërë për ta. 675 mijë dollarë është paguar lobisti Nik Muzin nga PD.
Muzin shprehet se ka raportuar pagesën me saktësi dhe i ka marrë ato para nga PD. Vetë lobisti amerikan vlerëson se Biniatta Trade ka bërë pagesa në interes të PD, ndërsa Basha ka thënë se nuk e njeh këtë kompani. Në kontratën me Biniatta Trade ka përfituar vetëm PD. Misteri i dytë, kush e zotëron këtë kompani? 727 kompani të tjera janë të regjistruara në të njëjtën adresë me Biniatta Trade. Ky është një rast tepër i rëndë, që nuk ka ndodhur gjithë këto vite në Shqipëri. Organet e drejtësisë, Prokurorisë t’i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund”, tha Taulant Balla.
KOHA JONË SONDAZH

