Luan Rama: Nuk do jemi pjesë e zgjedhjeve në Kavajë

Kreu i deputetëve të LSI-së, Luan Rama ka hedhur poshtë raportimet në media se LSI do të jetë pjesë e procesit zgjedhor në Kavajë.

Në një komunikim me mediat, Luan Rama tha se “LSI ka regjistruar anëtarin e KZAZ në Kavajë për të mos bllokuar procesin, por kjo nuk do të thotë se ne jemi pjesë e procesit elektoral”.

Rama i është përgjigjur dhe interesit të mediave lidhur me diskutimet e zhvilluara dje në darkën mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Rama tha se vendimin përfundimtar për koalicionin mes LSI dhe PS do ta marrin forumet e LSI-së.

Swiss Digital Desktop Reklama

Prononcimi i plotë për media i Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama:

Swiss Digital Mobile Reklama

Më vjen keq që jeni ushqyer nga një burim gënjeshtër dhe keni dhënë një lajm të gënjeshtërt në lidhje me procesin zgjedhor në Bashkinë e Kavajës.

Lëvizja Socialiste për Integrim as nuk është regjistruar dhe as nuk do të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

Ky ka qenë një qëndrim i hapur, institucional, transparent, i bërë i njohur më parë dhe për shkak të faktit që keni rënë në grackën e një dezinformimi jam i detyruar t’jua përsëris edhe një herë. Nuk do të jemi pjesë e procesit zgjedhor në Bashkinë e Kavajës.

Pyetje nga gazetarët: Po ju keni dërguar anëtar të KZAZ-së?

Më lejoni edhe një herë të shpjegoj qartë. LSI nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës. Anëtari i KZAZ-së, që është pjesë e administratës zgjedhore, për shkak të ushtrimit të përgjegjësive në zbatim të ligjit, ka shkuar në këtë KZAZ për të mos bllokuar, pra për të konstituuar dhe për të bërë funksional veprimin e KZAZ. Po kjo nuk është pjesëmarrje e LSI-së në zgjedhje, kuptojeni qartë këtë zgjedhje.

Jeni regjistruar në ditën e fundit brenda afatit që është bërë thirrje nga KQZ për të depozituar emrat për anëtar të KZAZ?

Nuk ka lidhje me pranimin apo me prezencën tonë në zgjedhje për Bashkinë e Kavajës.

Kandidatin e PS do ta mbështesni?

Nuk jemi pjesë e procesit, as për ta mbështetur, as për ta votuar dhe për asnjë gjë tjetër që ka të bëj me zgjedhjet në Kavajë.

Ne e kemi theksuar edhe një herë e theksojë, për LSI është shumë i rëndësishëm procesi zgjedhor, janë të rëndësishme zgjedhjet korrekte, demokratike, të lira, të ndershme dhe transparente, dhe i gjithë investimi ynë do të jetë në funksion të realizimit të zgjedhjeve mbi bazën e standardeve dhe të rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Të gjitha të tjerat pastaj nuk janë asgjë më shumë se “llogje Kavaje” dhe unë nuk merrem me “llogje Kavaje”.

Po marrëveshja e cila flitet se është dakordësuar gjatë ditës së djeshme, ka pasur një të tillë gjatë takimit Rama-Meta? Kur do të mblidhen forumet pasi është njoftuar për një mbledhje të Kryesisë së LSI-së?

Forumet e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mblidhen në respekt të të gjitha afateve dhe në respekt të axhendës tonë politike dhe elektorale dhe në funksion të përmbushjes së prioritetit madhor që është i lidhur me interesat e vendit për zgjedhje të lira, të ndershme, transparente dhe në përputhje me standardet, ne mund të thërrasim kryesinë shumë shpejt, Komitetin Drejtues Kombëtar dhe po qe nevoja edhe Asamblenë Kombëtare. Por çdo gjë në kohën e duhur dhe në respekt të plotë të të gjithave atributeve të përfaqësimit dhe vendimmarrjes që kanë strukturat e LSI-së.

Pra ju po thoni që nuk ka një dakordësi për një marrëveshje të re?

Unë nuk thash asgjë. Unë thash se nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e pjesshme të Kavajës, sepse ju thatë dhe dhatë një lajm të gënjeshtërt.

Po në zgjedhjet e përgjithshme do të merrni pjesë në koalicion me PS?

Për zgjedhjet e përgjithshme, angazhimi ynë, investimi ynë dhe interesi ynë është që të jenë zgjedhje për Shqipërinë dhe jo zgjedhje për partinë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?