Malaj: Plotësimi i Këshillit do kishte shmangur përplasjen president-qeveri për guvernatorin
Ish-ministri i Financave , Arben Malaj, thotë Banka e Shqipërisë gjendet në këtë situatë sepse si para, ashtu edhe pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e shtetit, Këshilli Mbikqyrës është i paplotësuar.
“Nëse do të kishte diçka urgjente, duhej zgjidhur e para Inspektori i Përgjithshëm, që është atribut i Parlamentit, për të përmirësuar mbikqyrjen e Bankës. Aq më tepër kur u tregua se kishte probleme. Ka kohë, kanë kaluar katër muaj që nuk zëvendësohet.
E dyta, në nëntë anëtarë të Bankës, sot mungojnë katër. Duhet të ishin plotësuar. Ka vonesa nga të gjitha institucionet. Në formimin e Këshillit Mbikqyrës 5 anëtarë i ka Parlamenti, 2 prej tyre mungojnë. 3 anëtarë i ka qeveria, 1 prej tyre mungon. 1 anëtar e ka Këshilli Mbikqyrës i Bankës pas dorëheqjes së Civicit, asnjë prej tyre si ka plotësuar”, thotë ai.
Sipas Malaj, nëse sot Këshilli do të ishte plotësuar, atëherë do të plotësohej edhe kërkesa e mazhorancës, që emri i guvernatorit të dilte pikërisht nga ky Këshill dhe presidenti nuk do të duhej të mendonte një kandidaturë tjetër:
“Ndërtimi i institucioneve minimizon edhe krizat politike. Aktualisht presidenti ka nxjerrë një dekret, mazhoranca ka qëndrimin e saj ndaj dekretit të presidentit. Nëse do të ishin të nëntë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës do të ishte më e qartë dhe më e lehtë edhe për presidentin që atributin kushtetues që ka që ai e propozon, jo e emëron, do ta kishte zgjedhur nga 9 anëtarët e Këshillit Mbikqyrës”. Ishkreu i Financave nuk i mohoi ambiciet e tij për një vend në Këshillin Mbikqyrës, por jo për postin e guvernatorit.
"Edhe kur presidenti bëri thirrje kush është ambicioz për guvernator të aplikojë, nuk aplikova, sepse nuk e kisha atë ambicie”, përfundoi ai.