Meta për qeveri besimi, Krasniqi: S’kishte akt konkret. Hila: Po hapet lojë e madhe
Politologu Afrim Krasniqi i ftuar në “Tonight Ilva Tare” në Ora News i shikon me skepticizëm propozimet e kreut të LSI-s për të lënë mandatet e ministrave, duke theksuar se deklarata nuk kishte një akt konkret.
Por, drejtuesi i emisionit “Arena” Dritan Hila shprehet se në lojën e ministrive është edhe ajo e Drejtësisë që mund të ketë një rol më të madh në të ardhmen.
Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, mendon se deklaratat e Metës vërtetuan kauzat e opozitës.
Pjesë nga diskutimet:
Krasniqi: Ajo çfarë i mungoi këtij projekti është akti konkret, një propozim konkret. Nuk janë propozim postet. Është banale ta mendosh. Është një lloj retorike që përdor për t’i thënë Ramës se nëse opozita nuk dëshiron ministrin e Brendshëm, mund ta largosh. Ky është thelbi i asaj merrni postet e mia.
Kemi një luftë nervash në këto 10 ditë dhe është kush arrin të bëjë diçka për krizën që të dy palët të tërhiqen nga pozicionet dhe kush të fitojë kredenciale politike. Nuk është çështja që palët sot kanë takuar Zotin dhe kanë vendosur të sakrifikojnë për Shqipërinë. Unë e shoh shumë larg atë lloj idealizmi që zt.Meta na prezantoi sot.
Hila: Unë kam një pikë që jam kundër zt.Krasniqi. Meta nuk lë vetëm Ministrinë e Mjedisit dhe të Transporteve, por lë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Besoj që në qoftë se do hyhet në zgjedhje do të ketë besoj edhe një paketë negocimi ku mënyra se si do të zgjidhet, mënyra se si do të operohet do t’i përcaktohet edhe një rol Ministrisë së Drejtësisë. Po u hap kjo çështje besoj se do të jetë një lojë më e madhe se sa thjesht 5 ministra.
Krasniqi: E gjithë skema për mua është për konsum mediatik.
Hila: Është një mënyrë për të hapur rrugën e negocimit. Në qoftë se hapet kjo lojë mund të hapen modalitetet për zgjedhjet. Do të ketë një lloj negocimi.
Duma: Si fillim ka vërtetuar ngritja e termave tona. Termat që u përdorën, qeveri e besimit..çfarë do të thotë se kjo qeveri nuk jep alternativë për zgjedhje të lira. Atë që kemi thënë. Kryetari i grupit të LSI vë në dispozicion mandatet ekzekutive. Lexuar politik është kjo gjë. As që diskutojmë zgjidhjen që është në Parlament. Problemi është qeveria. Deri tani ky kryeministër nuk jep garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çështjet tona u vërtetuan nga aleati i mazhorancës. Kauzat qëndrokan.
/Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

