Mosbindja civile, Basha në Elbasan, Kryemadhi në Durrës. Ja si do shpërndahen ish-deputetët
Pasdite në 18:00 nis aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore. Ndryshe nga protesta e kaluar ku u bllokuan vetëm 5 akse kombëtare, opozita ka vendosur ta përshkallëzojë aksionin e saj, duke e shtrirë mosbindjen civile në të paktë 12 akse nacionale, të cilat nuk do të bllokohen për 1 por për dy orë, ku protesta do të zhvillohet nga ora 18:00 deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Pak ditë më parë në kuadër të mobilizimit qytetar kryedemokrati mblodhi në selinë blu krerët e degëve të PD-së në rrethe të cilëve u kërkoi pjesëmarrje sa më masive në protesta që ata do të zhvillojnë në qarqet e tyre respektive, duke bllokuar akset rrugore si pjesë e përshkallëzimit të qëndrimeve të PD-së dhe aleatëve të saj ndaj mazhorancës qeverisëse, ku kërkesa kryesore e opozitës mbetet e pandryshuar: Largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila do të mund të organizojë më pas jo vetëm zgjedhjet lokale, por edhe ato të parakohshmet parlamentare.
Shpërndarja e ish-deputetëve të LSI-së
Në Durrës, rrethrrotullimi i Plepave: Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi,
Në Tiranë, rrethrrotullimi Shqiponja: Petrit Vasili, Luan Rama, Klajda Gjosha, Floida Kerpaci, Edmond Panariti dhe Erisa Xhixho.
Në Shkodër: Agron Cela
Në Lezhë: Viktor Tusha
Në Milot: Përparim Spahiu
Në Fier: Kejdi Mehmetaj
Në Elbasan: Edmond Haxhinasto
Korçë: Endrit Braimllari
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të jetë në protestën për bllokimin e rrugës në Elbasan, tek mbikalimi i Bradasheshit, ora 18.00.
Protestat në rrethe
Në kuadër të mosbindjes civile, opozita në Shkodër ka vendosur të protestojë nesër duke bllokuar rrugën nacionale në Krye Bushat, zonë kjo që do të ndalojë qarkullimin e të gjithë automjeteve që i drejtohen Shkodrës dhe anasjelltas, por do të bllokohet dhe rruga që lidhet me zonat e Pukës dhe Tropojës. Një gjë e tillë është paralajmëruar nga vetë kryetari i degës së PD-së, Xhevdet Amuli ku i bëhet thirrje të gjithë protestuesve të zonës së veriut të mblidhen pikërisht në këtë aks rrugor. “Sot u zhvillua mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, dega Shkodër, ku në fokusin kryesor ishte organizimi për protestën e radhës, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, datë 2 Maj në orën 18:00 për bllokimin e rrugës nacionale në Krye Bushat. Protesta është e koordinuar njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, pjesë e agjendës së këtij takimi, ishte edhe angazhimi i strukturave dhe qytetarëve në protestën kombëtare të datës 11 Maj në Tiranë. Ne nuk ndalemi. Tik-taku i fundit i oligarkisë po afron. Rama Ik! Shqipëria si Europa”, thuhet në njoftimin e degës së PD-së në Shkodër, pjesë të cilit ishte dhe ish-deputeti demokrat Bardh Spahia.
Në Lezhë bllokimi u rrugës do të bëhet si herën e shkuar, në rrethrrotullimin pranë Milotit që lidh dhe rrugën kombëtare me atë të Kosovës. Në qarkun Dibër në rrugën që lidh Peshkopinë me Bulqizën. Gjithashtu mësohet se pesë akset e rrugëve që u bllokuan të enjten shkuar do të jenë sërish edhe qendra e protestës dhe të nesërmen. Grumbullimi i protestuesve të qarkut të Tiranës do të jetë në rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja”, ndërsa për ato të Durrësit në zonën e Plepave në Durrës. Demokratët e qarkut Fier do të mblidhen në Rrethrrotullimin e Sheqit, ndërsa demokratët e Beratit do të mblidhen tek Ura e Hanit, në pjesën e rrugës së Perondisë. Opozita do të protestojë edhe tek rrethrotullimi në Çiflig, në hyrje të Korçës, si dhe në rrugën në hyrje të të superstradës Vlorë – Levan. Për Qarkun e Gjirokastrës protesta është do të bëhet te Ura Leklit në Tepelenë. Sipas burimeve të “Koha Jonë”, kryedemokrati Lulzim Basha nuk e ka vendosur ende se në cilin qark do të jetë i pranishëm. Protestën e shkuar ai vendosi të ishte me protestuesit e mbledhur në rrugën e Milotit. Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte në zonën e rrugës së Plepave në Durrës.
Akset që bllokohen nesër nga opozita
Qarku Kukës – Në pjesën e rrugë së Kombit
Qarku Shkodër – Në zonën e quajtur Krye-Bushat
Qarku Lezhë – Në rrotullimin e rrugës së Milotit ku lidhet rruga me Kosovën
Qarku Dibër – Bllokim në rrugën që lidhet me Bulqizën
Qarku Tiranë – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”
Qarku Durrës – Aksi Durrës-Kavajë, në rrethrrotullimin pranë vendit të quajtur zona e Plepave
Qarku Elbasan – Në Bradashesh pranë Karburant “Gega”
Qarku Fier – Afër Urës së Mbrostarit, sa fillon rruga dy kalimshe për të hyrë në Fier
Qarku i Beratit – Grumbullimit tek Ura e Hanit
Qarku Korçë – Tek rrethrrotullimi në Çiflig, në hyrje të Korçës
Qarku Vlorë – Rruga në Hyrje të Superstradës Vlorë – Levan!
Qarku Gjirokastër – Ura Leklit në Tepelenë
KOHA JONË SONDAZH

