Nishani: Ambasadori Lu nuk flet pa prova serioze. Ja kush e liroi Tahirin
Vendimin për shfyqëzimin e masës së sigurisë ”arrest shtëpie” nga Gjykata e Apelit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, është marrë nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Kështu e sheh ish-Presidenti Bujar Nishani, i cili përmes një postimi në facebook, thekson se ky vendim për mbrojtje është marrë nga maxhoranca muaj më parë.
”Thelbi është se lirimin e Saimir Tahirit e vendosi Kryeministri dhe maxhoranca e tij parlamentare që në momentin kur bllokuan kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit që të kishin mundësinë të mblidhnin provat e nevojshme në banesën e ministrit. Prova që më pas shqiptarët i panë të hargaliseshin rrugëve të Shqipërisë ndër makinat e fëmijve të oligarkëve të Rilindjes, në prerje 100-she dhe 500-she”,-shkruan ish-Presidenti.
Më tej Nishani shkruan se propaganda e agjitatorëve të qeverisë, tentoi të përgënjeshtrojë apo deformojë deklaratat e ambasadorit amerikan, Donald Lu, një ditë para se të lirohej Tahiri, i cili tha ka presion, shantazhe e ryshfete ndaj gjyqtarëve. Sipas ish-Kreut të Shtetit, denoncimi i ambasadorit u verifikua ekzaktësisht pas një seance flesh të gjykatësve në Vetting, duke shtuar se kryediplomati amerikan nuk flet pas pasur prova serioze.
Shkrimi i plotë i ish-Presidentit Bujar Nishani
Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi dhe denoncoi një ditë përpara gjyqit të ish Ministrit të Brendshëm se kërcënime, shantazhe dhe rryshfete, po përdoreshin për ta liruar nga arresti ish-ministrin.
Ky denoncim i Ambasadës u verifikua ekzaktësisht pas nje seance flesh të gjykatësve në Vetting. Të gjithë shqiptarët normalë nuk është se kishin ndonjë dyshim në atë denoncim të Ambasadës, pasi Qeveria e SHBA është qeveria mike më e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Institucionet ligjzbatuese të SHBA janë institucionet më të afta dhe më të specializuara në hetimin e trafikut të drogave dhe grupeve të trafikantëve. Për më tepër kjo Ambasadë nuk flet pa patur prova serioze.
Natyrisht prova që nuk i merr nga laboratori imagjinar i Kryeministrit të Shqipërisë.
Por edhe njëherë, si në të gjitha skandalet e mëparshme të kësaj qeverie, propaganda e agjitatorëve të qeverisë nisi tentativën të përgënjeshtrojë apo deformojë deklaratat e Ambasadës së SHBA. Sipas agjitatorëve të qeverisë ndërhyrjet, kërcënimet dhe ryshfetet e dhëna për pengimin e ligjit ndaj ish-Ministri të Brendshëm mund të jenë bërë nga opozita! Më qesharakë nuk ka se si bëhen. Por në fakt nuk është aspak thelbi i kësaj situate ky lloj sharlatanizmi.
Thelbi është se lirimin e Saimir Tahirit e vendosi Kryeministri dhe maxhoranca e tij parlamentare që në momentin kur bllokuan kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit që të kishin mundësinë të mblidhnin provat e nevojshme në banesën e ministrit. Prova që më pas shqiptarët i panë të hargaliseshin rrugëve të Shqipërisë ndër makinat e fëmijve të oligarkëve të Rilindjes, në prerje 100-she dhe 500-she.
Lirimin e Sajmirit e paralajmëroj Agron Xhafaj gjatë muhabetit me mikun e tij Babalen, “ata në Itali, janë zbërthyer fare vëlla”, i thoshte Xhafaj Babales. Ndaj masat duheshin marrë seriozisht, me çdo kusht e çmim mbi kurrizin, imazhin dhe fatin evropian të vendit.
Kjo nuk është aspak një çështje procedurjale, siç kërkojnë t’jua shesin shqiptarëve, agjitatorët e oborrit qeveritar. Nën masë arresti apo ndjekje të lirë, me arrest në burg apo në shtëpi e përcakton qartë kodi procedures penale në varësi të plotë nga rrezikshmëria e kompromentimit dhe ndikimit të hetimit si dhe lloji i veprës penale për të cilën është ngritur akuza.
Por ajo që bën diferencën nuk është proçedura e parashikuar nga ligji por urdhëri dhe pushteti që ka Maliqi. Ajo që tregon kapjen e sistemit dhe modelin e pandëshkueshmërisë edhe për krime të rënda e flagrante (lëre pastaj për vjedhjet e sofistikuara), nuk është thjesht denoncimi amerikan por fuqia e vërtetë që kanë mbi pushtetin Habilajt, Xhafajt dhe “babalet” e këtij vendi. Kushdo qytetar tjetër i këtij vendi, nga veriu në jug që do kishte një akuzë të tillë nga Prokuroria do ishte mbyllur në qeli që ditën e parë e do ishte harruar aty brenda. Për të inkriminuarit e Rilindjes nuk ka ligj, rroftë Maliqi!
KOHA JONË SONDAZH

