OSBE: Korrupsioni nuk mund të luftohet nga një institucion i vetëm
Kështu u shpreh sot, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Florian Raunig në forumin kombëtar kundër korrupsionit.
Sipas tij, angazhimi politik i shprehur nga qeveria shqiptare është një parakusht thelbësor për një luftë efektive kundër korrupsionit dhe përbën një themel të fortë të punës efikase të qeverisë në interes të publikut.
“Nuk ka asnjë vend pa korrupsion, dhe kjo na ndikon të gjithëve negativisht. Korrupsioni rrënon ekonomitë kombëtare, rrezikon stabilitetin social dhe shkatërron besimin e publikut. Ai ul të ardhurat nga taksat, fryn kostot e shërbimeve publike dhe shtrembëron konkurrencën në sektorin privat”, shtoi ai.
Për të vënë në dukje gjithashtu se në formën e tij më të shëmtuar, korrupsioni i dënon grupet e cënueshme me varfëri dhe dobëson shtetin; mund të sjellë paqëndrueshmëri të lartë sociale, madje dhe konflikt. Lidhja që ka me sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë është e qartë.
“Prezenca e OSBE-së është angazhuar që të luftojë korrupsionin dhe të promovojë mirëqeverisjen në të gjitha nivelet. Ne po punojmë për të nxitur transparencën, llogaridhënien, integritetin dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit. Javën e ardhshme, Prezenca do të fillojë një projekt të ri kundër korrupsionit, me financim të Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, BERZH-it dhe Shkollës Italiane të Administratës Publike”, përfundoi shefi i OSBE-së në Tiranë.