Petrit Vasili: Evropa duhet të flasë për zgjedhjet e blera, drogën dhe krimin e organizuar
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka qenë në Bruksel, pjesë e delegacionit shqiptar të Tryezës së Nivelit të Lartë për Integrimin e Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian.
Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të LSI ka deklaruar se Evropa duhet të flasë për zgjedhjet e blera, për trafikun e drogës dhe për krimin e organizuar. Nëse Evropa nuk do të jetë e prerë në zgjidhjen e problemeve, që kanë tronditur shoqërinë shqiptare, shprehet Vasili, shqiptarët do të mbeten te dera e Evropës, pa hyrë kurrë në të.
Ai ka thënë se të gjithë dëshirojnë një integrim evropian sa më të shpejtë, por të merituar. “Evropa duhet të flasë më në fund në mënyrë direkte për zgjedhjet e blera, për trafikun e drogës dhe për krimin e organizuar. Të gjithë duam një integrim evropian sa më të shpejtë, por duam edhe një integrim me përmbajtje dhe të merituar. Nëse Evropa nuk do të jetë e prerë në zgjidhjen e problemeve që kanë tronditur shoqërinë shqiptare, do të mbetemi te dera e Evropës, pa hyrë kurrë në të”, ka thënë Vasili.
Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI shprehet se inkurajimi i Evropës për vendin tonë, ka qenë pozitiv. Por, ka shtuar Vasili, nuk mund të bashkëjetojmë me problemet e rënda të qeverisë, të cilat po e bëjnë integrimin evropian një ëndërr të parealizueshme. “Duhen vënë detyra të qarta që të mund të monitorohen ashtu siç u veprua për liberalizimin e vizave. Shqiptarët besojnë tek integrimi evropian, por jo sa më parë. Inkurajimi i Evropës për ne është pozitiv, por jo bashkëjetesë me problemet e rënda të qeverisë që po e bëjnë integrimin një ëndërr të parealizueshme”, është shprehur Vasili.
KOHA JONË SONDAZH

