Presidenti Meta: Bashkëpunimi me Gjermaninë është forcuar
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel, që u zhvillua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Ky aktivitet u mbajt në kuadrin e Tetorit Gjerman, javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta tha se Tetori Gjerman është kthyer në një traditë të mrekullueshme për shqiptarët dhe se kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve e kombeve. “Prej një dekade, muaji i kulturës gjermane, ose siç njihet ndryshe “Tetori Gjerman”, është kthyer në një traditë të mrekullueshme për ne dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë një admirim të veçantë për Gjermaninë dhe kombin gjerman, të cilët mezi presin këtë tetor që të ndjekin aktivitete nga më të larmishme shpesh edhe duke ndërvepruar dhe bërë pjesë aktive e tyre.
Natyrisht që kjo është një ngjarje tepër e rëndësishme, pasi kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve dhe midis kombeve.
30-vjet më parë, Shqipëria po mundohej të hidhte hapat e para të daljes nga izolimi i gjatë dhe shkatërrues për ekonominë. Ndërsa Republika Federale e Gjermanisë, po bëhej gati të merrte përgjegjësitë, jo vetëm të bashkimit të Gjermanisë, por edhe të gjithë kontinentit evropian”,- u shpreh kreu i shtetit, Ilir Meta.
Gjithashtu, Meta theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar e zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme në 30 vjetët e fundit dhe se në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti. “Edhe sot, pas 30 vjet shkëmbimesh dhe bashkëpunimi të shkëlqyer në të gjitha fushat, ende shumë gjermanë kur dëgjojnë për Shqipërinë, vënë buzën në gaz dhe kujtojnë vitet e hershme kur mësonin për shqiptarët përmes novelës së May-it.
Shkëmbimet kulturore janë rritur, kontaktet e drejtpërdrejta, e jo vetëm të albanologëve apo studiuesve të specializuar nga të dy vendet, janë intensifikuar. Sot, me qindra të rinj shqiptarë mësojnë me dashuri e përkushtim gjuhën dhe kulturën gjermane, por po ashtu shumë të rinj gjermanë interesohen më shumë për atë që ofron Shqipëria, si në aspektin gjeografik e turistik, ashtu edhe në atë historik e kulturor. Numri i të rinjve gjermanë që vizitojnë vendin tonë është rritur ndjeshëm dhe po kështu edhe artistë të zhanreve të ndryshme po performojnë gjithnjë e më shumë në skenat dhe ekspozitat shqiptare”,- u shpreh kreu i shtetit, Ilir Meta.
KOHA JONË SONDAZH

