Presidenti Meta pret në zyrë ministrin e Jashtëm të Austrisë: E falenderaova për mbështetjen e sinqertë që i jep Shqipërisë
Kreu i shtetit Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart. Lajmin e ka bërë publik vetë presidenti përmes një postimi në facebook, ku vlerëson miqësinë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve.
Kreu i shtetit bën me dije se e falenderoi gjithashtu ministrin e Jashtëm të Austrisë, në lidhje me mbështetjen që ajo i jep Shqipërisë dhe gjithë rajonit në proceset integruese.
“Prita sot në një takim të ngrohtë Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart.
Vlerësova bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë tradicionale mes dy popujve, si dhe shpreha vullnetin për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
E falenderova Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë dhe shumë të rëndësishme, që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe të gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, posaçërisht në hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën”, tha Meta.
KOHA JONË SONDAZH

