Prezantohet manuali për pjesëmarrjen e publikut në proceset vendimmarrëse

Manuali për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen e parlamentit, i hartuar në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së, u prezantua në Kryesinë e Kuvendit, gjatë një takimi të zgjeruar me praninë e deputetëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, diplomatë, etj.

Ky dokument synon që përmes pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës së parlamentit, t’i sjellë individët më afër qeverisjes, duke u krijuar mundësinë të adresojnë probleme dhe të ofrojnë zgjidhje të përshtatshme për to, të vlerësojnë rezultatet e zbatimit të politikave, të mbikëqyrjes së veprimtarisë të të zgjedhurve të tyre për t’i bërë ata më të përgjegjshëm, etj.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se me këtë udhëzues opinioni publik tashmë është vendimarrës në parlament.

Ndërsa, ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Florian Raunig, e vlerësoi dokumentin në fjalë, i cili tha ai i shërben forcimit të marrëdhënieve mes shoqërisë civile dhe Kuvendit.

Parlamenti, tha Raunig, është institucioni qendror i demokracisë parlamentare ku zgjedhësit çojnë përfaqësuesit e vet që t’i përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrë efektive.

Megjithatë, theksoi ambasadori, parlamenti ka nevojë për një partner aktiv, shoqërinë civile, e cila luan një rol kritik në monitorimin e punës së Kuvendit. Gjithashtu, ai theksoi se shoqëria civile duhet të luajë një rol thelbësor në zhvillimin e një marrëdhënie pozitive e transparente mes shtetit dhe qytetarëve të tij.

Kuvendi duhet të jetë një vend ku qytetari mund të ndihet i mirëpritur, shtoi ai. Manuali i mundëson publikut që nga qytetari i thjeshtë e deri tek organizatat jofitimprurëse të shndërrohen nga vëzhgues pasivë të politikave ligjore nga të cilat preken, në pjesëmarrës aktivë të zhvillimit të komunitetit ku bëjnë pjesë dhe në ofrues të përmirësimit të këtyre politikave. Në këtë manual, pjesëmarrja e publikut është trajtuar në aspektin e informimit, te konsultimit, dialogut dhe partneritetit.

SHKARKO APP