PS: Të akuzojë për tendera dhëndrri i Saliut, vajmedet për PD-në

Partia Socialiste ka ironizuar sot jo denoncimin e Partisë Demokratike për tenderat e pyjeve, por denoncuesin nga selia blu, për faktin se ai është dhëndrri i ish-Kryeministrit, Jamarbër Malltezi, sipas saj -personi më i përfolur në vend për korrupsion me gjithë bashkëshorten e tij.

Sipas deputetit Besnik Bare, “shqiptarët i kanë ende të freskëta akuzat e biznesmenëve vendas dhe të huaj që akuzonin nën zë, po edhe hapur, Sali Berishën kur dëshmonin se pa kaluar përmes zyrës private të vajzës, gruas së Jamarbrit, apo të djalit Shkëlzen për të paguar shërbimet korruptive të familjes që drejtonte qeverinë, nuk bëhej dot biznes në Shqipëri.”

"Që Partia Demokratike, si forca më e madhe e opozitës, është në të drejtën e vet për të kritikuar Qeverinë, askush nuk mund ta vërë në dyshim. Përkundrazi, ne e mirëpresim çdo kritikë për të korrigjuar shënjestrën e qeverisjes.

Por që akuzat për favorizime në tendera të mbeten në gojën e dhëndrit të Saliut, bashkëshortit të Argitës, Jamarbër Malltezi, kjo është vërtet vaj medet për Partinë Demokratike.

Shqiptarët i kanë ende të freskëta akuzat e biznesmenëve vendas dhe të huaj që akuzonin nën zë, po edhe hapur, Sali Berishën kur dëshmonin se pa kaluar përmes zyrës private të vajzës, gruas së Jamarbrit, apo të djalit Shkëlzen për të paguar shërbimet korruptive të familjes që drejtonte qeverinë, nuk bëhej dot biznes në Shqipëri.

Ishin pikërisht familjarët e Sali Berishës me në krye vajzën, djalin, dhëndrin, por edhe kunetër e baxhanakë që Saliu i bënte hasha edhe kur fatkeqësisht humbnin jetën në gropën e zezë të korrupsionit (kujtoni Gërdecin), ata që e kthyen shtetin shqiptar në një mamuth hajdutërie", thuhet në deklaratën e PS-së.

SHKARKO APP