Qëndrimi zyrtar i PD: Shoferi i ministrit u vra në mënyrë mafioze
Partia Demokratike ka reaguar sot me një deklaratë zyrtare për vdekjen gardistit Shkëlzen Qordja, shofer i ministrit Fatmir Xhafaj, i cili u gjet i pajetë në ambientet e Gardës së Republikës. Sipas PD, Policia ka tentuar të fshehë ngjarjen, ndërsa e cilëson si një vrasje mafioze.
Deklaratë e Partisë Demokratike
“Vrasja e shoferit të Fatmir Xhafajt është vrasje mafioze. Xhafaj duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit të pamanipuluar!
Sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së Republikës.
Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin.
Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba.
Por ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003.
Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim!
Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator.
Me një Polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen! Të mos fshihet pas lotëve të krokodilit, por të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një hetimi të pavarur.
Me Fatmir Xhafën Ministër të Brendshëm, e vërteta e vrasjes mafioze nuk do të dalë në dritë!”
Familja e gardistit, mesazh politikës
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, ku shoferi i ministrit Fatmir Xhafaj, Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë brenda makinës së tij, ka pasur një numër të lartë versionesh mbi ngjarjen të cilat janë përcjellë nga mediat pranë opozitës por edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kjo ka nxitur edhe reagimin e familjes së të ndjerit të cilët kanë gjetur forcë për të kërkuar respekt për viktimën.
Deklarata e familjarëve të Shkëlzen Qordja
“Është e pabesueshme për ne qe ne kushtet e nje tragjedie familjare qe nuk i urohet as hasmit, te na duhet te përballojmë edhe shqelmat e politikes mbi trupin pa jetë të djalit dhe vëllait tonë që e kemi në mes të shtëpisë! Kur s’ka fjalë dhe ngushëllim për ne sot, detyrohemi nga këto shqelma egërsirash të gjejmë fjalë për të bërë deklarata publike si familje!
Por fatkeqësisht nuk kemi asnjë rruge tjetër përveçse t’i drejtohemi publikisht politikaneve qe te na lene te qajmë njeriun tone. Të mos shkelin mbi çdo ligj e zakon, duke bere atë që as gjakësi i kanunit nuk e ka bërë kurrë për viktimën e tij. U lutemi mos e rendoni djalin e vellain tonë me fantazi dhe fabrikime për qëllimet tuaja.
Për shpirtin e zi që ju shtyn në ë tilla akte çnjerëzore nuk është fajtor i shtrenjti ynë dhe zija jonë del e tepron për supet e familjes sonë të thjeshtë. Prindërit dhe vëllezërit e të ndjerit Shkëlzen Qordja”.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT
- Prokuroria dhe Policia: Shoferi i ministrit të Brendshëm u vetëvra
- Gjendet i vrarë shoferi i Ministrit të Brendshëm
- Shoqërohen dy gardistët që gjetën trupin e shoferit
- Berisha ngre disa pyetje për Habilajt, Tahirin dhe Ballën
- Ministria: Shoferi që u gjend pa jetë nuk ishte pezulluar nga detyra
- Vdekja e shoferit, gardistët: Se kemi parë të shqetësuar
- Familja e gardistit, mesazh politikës: Na lini të qajmë djalin tonë
KOHA JONË SONDAZH

